Është hapur sot ekspozita “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” në Muzeun Shtëpia e pavarësisë “Dr.Ibrahim Rugova”, ekspozitë e cila është hapur në 31 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Në hapje të kësaj ekspozitë mori pjesë edhe kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, i cili tha se kjo ekspozitë është e jashtëzakonshme përmes të cilës për 10 minuta mund ta shohësh gjithë historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme.
“Mbledhjen e krejt kësaj historie 31 vjeçare edhe para saj realisht, po në veçanti gjatë këtyre 31 vjetëve të shtetndërtimit të Kosovës me pak fjalë po me fakte, me fotografi nga ngjarjet historike të themelimit të LDK-së, të deklaratës kushtetuese, të organizimit të arsimit e të shëndetësisë dhe të shtetit paralel komplet të Kosovës të asaj kohe, vuajtjet e qytetarëve të Kosovës, maltretimet, vrasjet, eksodi, lufta çlirimtare edhe përpjekjet pas luftës me partnerët tanë ndërkombëtarë për të ndërtuar shteti. Një ekspozitë e jashtëzakonshme që për 10 minuta t’i e ke para syve komplet historinë e popullit të Kosovës deri në ditën e sotme”, tha ai.
Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS),Vlora Dumoshi, tha se përmes kësaj ekspozite po tregohet rrugëtimi i historisë së Kosovës.
“Vërtetë është bërë një punë ku duhet me e falënderua njerëzit siç është Shkumbini, i cili sot ka prezantuar një rrugëtim të historisë tonë duke luftuar me intelektualët tonë për rezistencë, për pavarësi dhe liri. Ky është muze i cili është në kuadër të MKRS-së, pra si institucione ne duhet t’i ruajmë por gjithashtu të bëjmë edhe programe edukative shkollore që ta mësojë historinë tonë. Andaj për këtë përvjetor është shumë i rëndësishëm që edhe pse në kohë pandemie t’i ftojmë qytetarët me masat të cilat duhet respektuar të vijnë dhe ta shohin edhe punën e tyre se në këtë histori kanë qenë pjesëmarrës edhe të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ajo.
Kuratori i ekspozitës, Shkumbin Brestovci, tregoi detaje rreth mbledhjes së fotografive dhe materialit tjetër që është prezantuar në këtë ekspozitë.
“Unë çka kam vërejtur prej historisë së shqiptarëve dy momente shumë interesante që nuk ka nevojë me i zbukuru, është historia e rezistencës së Skënderbeut dhe historia e rezistencës së Ibrahim Rugovës. Ato nuk ka nevojë aspak me i zbukuru, vet faktet e tyre janë shumë të bukura[…]Procesi ka qenë se ka shumë libra që janë shkruar dhe mundeni me i pa edhe brenda, do të thotë ka shumë literaturë që është shkruar për këtë punë, fatkeqësisht ne nuk po lexojmë kështu që nuk po e dimë. Mbledhja ka qenë në fakt më duhet me i përmend edhe dy fotograf edhe pse janë pak më shumë që ma kanë dhuruar krejt fondin e tyre të fotografive që janë Enver Bylykbashi dhe Ilaz Bykykbashi që kanë qenë fotograf të ngjarjeve, po edhe të tjerë mos t’i harroj që i kanë dokumentuar krejt këto ngjarje”, tha ai./kp/