“Balkan Girl Power” titullohet ekspozita e hapur dje në Qendrën e Hapjes për Dialog (COD), në Kryeministri, në Tiranë.
Ceremonia u hap nga drejtoresha e përgjithshme e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Çano, e cila shprehu kënaqësinë e veçantë që ekspozita e parë në COD për vitin 2019 kishte në qendër femrën ballkanase me aspiratat për të qenë pjesë e integrimit në familjen evropiane. I pranishëm në këtë aktivitet ishte dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.
Artistja Lala Meredith Vula, e cila kuroi këtë ekspozitë, shprehu mirënjohjen për të gjithë njerëzit që u bënë bashkë në këtë nismë dhe COD që mirëpriti këto vepra të mrekullueshme.
Drejtoresha Ekzekutive e Institutit për Kontratën Shoqërore në Shqipëri, Olda Çeta, që udhëhoqi projektin, falënderoi të gjithë bashkëpunëtorët, vajzat pjesëmarrëse dhe vlerësoi besimin dhe mbështetjen e Western Balkans Fund.
Në këtë ekspozitë janë përzgjedhur të prezantojnë punimet e tyre në zhanrin e fotografisë, me tematika të ndryshme, vajzat nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia.
Projekti ka bashkuar 75 vajza nga këto shtete për të dokumentuar përmes fotografisë jetën, ëndrrat dhe perspektivat e tyre.
Balkan Girl Power Exhibition do të jetë e hapur për publikun deri në datën 28 shkurt.