Telegrafi

Hapet ekspozita e artistëve kosovarë në Bruksel

Organizimi i kësaj ekspozite të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës është bërë nën patronazhin e ministrit të Kulturës, ndërkaq në hapjen e saj, krahas artistëve dhe artdashësve belgë dhe kosovarë, merrte pjesë edhe drejtori i Drejtoratit për Kulturë të Komunës së Scharbekut, Georges Verzin.

Me këtë rast, para të pranishmëve, ministri Beqiri mbajti një fjalë rasti, gjatë të cilës, veç tjerash, tha se kjo ekspozitë, përmes të cilës, në teknika, forma dhe përmbajtje të ndryshme, paraqiten veprat e disa artistëve kosovarë, është një mundësi e mirë për të shprehur dëshirën dhe synimin tonë të përhershëm për shtimin e komunikimit dhe të bashkëpunimit kulturor të Kosovës me Belgjikën dhe me vendet tjera perëndimore.

Më tutje, Ministri Beqiri tha se edhe pse Kosova është një vend i vogël, ajo disponon me kapacitete dhe vlera të shumta kreative artistike, të cilat, në shumësinë e vlerave artistike të kontinentit tonë të vjetër, përfaqësojnë një dimension të veçantë, autentik dhe shumë origjinal.

Kosova, përfundoi Ministri Beqiri, është një hapësirë shumëngjyrëshe, e cila, me vlerat e saj artistike dhe etnokulturore, ia shton bukurinë mozaikut kulturor dhe artistik të Evropës.

Ndërkaq, një fjalë rasti gjatë hapjes së kësaj ekspozite e mbajti edhe drejtori i Drejtoratit për Kulturë të Komunës së Scharbekut, Georges Verzin. Ai, veç tjerash, tha se përgjatë shumë shekujve Belgjika dhe Kosova, si dy vende që kanë përjetuar okupime, luftëra dhe fushëbeteja të shumta, kanë arritur ta kultivojnë edhe kulturën e rezistencës, fisnikërinë dhe ndjenjën për vlerat e larta të qytetërimit evropian.

Bashkëpunimi midis dy vendeve tona, shtoi ai, është rrjedhojë e bashkëpunimit të filluar shumë më herët, e kontakteve dhe ndihmës së shtetit belg gjatë ditëve të luftës në Kosovë dhe e kurorëzuar tash, me hapjen e kësaj ekspozite, në njëvjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita e artistëve kosovarë në Belgjikë do të vazhdojë të jetë e hapur gjatë tri javëve të ardhshme. /Telegrafi/