Site icon Telegrafi

Edicioni i tretë i Growth Tank, Rama: Kënaqësi kur dëgjojmë që kompanitë tona kanë arritur nivelet e larta ndërkombëtare

Growth Tank, konferenca më e madhe e Marketingut Digjital në Kosovë sot hapi dyert e saj në hapësirat e Klan Arenës, në të cilën po marrin pjesë folës nga kompanitë më prestigjioze amerikane dhe evropiane, si Google, Facebook, Rapid Images e Link Marketing.

Në këtë ngjarje është edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili foli për rëndësinë e inteligjencës artificiale.

“Kënaqësia më e madhe kur dëgjojmë që kompanitë tona kanë arrit nivelet botërore dhe japin shërbime të ndryshme nga nivele të ndryshme në botë. Njëra ofron mundësi që të rinj tanë të jenë të punësuar këtu dhe me kriju hapësira ku mund të shfrytëzojmë me kreativitet që t’i ndihmojmë njëri – tjetrit që të ngrisim vetëbesimin.

Pra, prej fundit me dal në fillim. Gjithë këta njerëz këtu në Prishtinë, Kosovë nuk kam dyshim që kanë potencial madhor me dal me produkte që e ngrisin Prishtinën, Kosovën dhe rajonin prej një pike që shihet jo aq e ngritur, deri në një pikë ku mund te jemi lider.

Growzilla dhe Growth Tank kam pa që kanë njerëz inteligjentë. Si kryeqytet jemi duke punuar shumë në këtë aspekt dhe në disa ikona të kryeqytetit si Pallati i Rinisë…me ndërlidh teknologjinë me sport, e kulturë. Po ashtu tutorja një ikonë tjetër, edhe aty do e kemi brenda 10 dite me shpall fituese për me transformu në Art Tech”, ka thënë Rama.

I pari i Prishtinës foli po ashtu për rëndësinë e konferencave të tilla, si kjo “Growth Tank”.

“Kjo nuk është vetëm një konferencë ku dikush flet e ju vetëm dëgjoni, por këtu është një numër i madh i workshop-it”.

Ndryshe, sot në ditën e parë të konferencës më të madhe e Marketingut Digjital në Kosovë do të shohim ekspertë ndërkombëtarë dhe vendas të cilët do të flasin për tema të tilla si “Krijimi në botën e Inteligjencës Artificiale”, “Planifikimi i sezonit festive në marketing”, “Impakti i Inteligjencës Artificiale në platformën Meta”.

Lexo po ashtu “Growth Tank”, konferenca më e madhe e Marketingut Digjital dhe fuqia e Inteligjencës Artificiale – këta janë panelistët

Ndërsa, më datë 11 nëntor (e shtunë) është dita e punëtorive, që do të mbahen në Innovation Center of Kosova, me ç’rast marketerët do të kenë mundësi të mësojnë konkretisht se si të përdorin Inteligjencën Artificiale për organizimin dhe krijimin e fushatave digjitale. /Telegrafi/

Exit mobile version