Është hapur edicioni i 19-të i panairit ndërkombëtar të turizmit dhe sportit, i cili po mbahet në sallën 1 Tetori në Prishtinë.
Krahas komunave, bizneseve dhe shkollave, pjesë e panairit janë edhe KOK-u dhe Federatat e Xhudos së Kosovës, Federata e Basketbollit, Hendbollit, Volejbollit, Aeronautikës, Padelit, si dhe klube të ndryshme.
KOK-u krahas aktiviteteve të saj, po e promovon kandidaturën për organizimin e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, ndërsa federatat po i promovojnë kryesisht aktivitetin e tyre, me theks të veçantë organizimin e garave ndërkombëtare.
Në hapjen zyrtare, presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, foli për rëndësinë dhe lidhëshmërinë që ka sporti dhe turizmi, përmes organizimit të garave ndërkombëtare.
I pari i KOK-ut, prezantoi edhe kandidimin e Kosovës për LM Prishtina 2030, dhe përfitimet që do të ketë vendi ynë, derisa vizitoi federatat dhe klubet e pranishme.
Pas ceremonisë hapëse, organizatori CEO mbajti forumin për rëndësinë që ka Ligji për Sponsorizim, me ç’rast në emër të KOK-ut, foli anëtari i Bordit Ekzekutiv, Agron Mala, njëherit kryetar i Federatës së Shigjetarisë së Kosovës.
Pjesëmarrës ishte edhe zëvendësministrja për Kulturë, Rini e Sport, Daulina Osmani dhe drejtues të Komunës së Ulqinit, federatave sportive etj.
Panairi është i hapur edhe nesër (e premte).