Site icon Telegrafi

Hapet depoja e re në IKSHPK për ruajtjen e vaksinave

Është hapur të premten depoja e re e vaksinave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, tha se hapja e kësaj depo kontribuon në sigurimin dhe ruajtjen e të gjitha vaksinave, përmes sistemit të ftohjes së tyre.

“Objektivat tona për ruajtjen e shëndetit publik dhe popullatës dhe parandalimin e sëmundjeve sot po fitojnë edhe një fuqizim të madh përmes realizimit të depos së vaksinave, një investim ky i MSh-së, përmes kredisë së Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës.

Vaksinat si preparate biologjike kanë bërë revolucion në fushën e shëndetit publik ndër vite dhe përmes tyre mjekësia iu ka dhënë fund shumë sëmundjeve të rënda ngjitëse, epidemive dhe pandemive të ndryshme”, tha ajo.

Në anën tjetër, drejtoresha e misionit të USAID në Kosovë, Zeinah Salahi, tha se nevoja për këtë depo për shëndetësinë kosovare është e madhe, pasi aty mirëmbahen dhe ruhen të gjitha vaksinat sipas standardeve të OBSh-së.

“Partneriteti ynë dhe marrëdhënia jonë e vazhdueshme me Ministrinë e Shëndetësisë dhe UNICEF ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme. Ne kemi përmirësuar qasjen në informata të sigurta, lidhur me vaksina, sidomos kur kanë qenë në pyetje grupet e margjinalizuara. Tani ka një vit që jemi duke ndihmuar në sigurimin e pajisjeve të sistemit të ftohjes, ku mund të mekanizohen të gjitha vaksinat, përfshirë ato të COVID 19 dhe aty të mirëmbahen dhe ruhen sipas standardeve të OBSH-së”, tha ajo.

Ndërsa, drejtoresha e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Nona Zicherman, tha se ky projekt është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe USAID në Kosovë.

“Si në Kosovë ashtu edhe në botë, qeveria e ShBA-së ka qenë një partner i fuqishëm në luftën kundër COVID 19. Mbështetja e tyre ka qenë instrumentale duke iu ndihmuar të gjithë kundër kësaj pandemie. Si pako e ndihmës nga USAID për t’ju përgjigjur pandemisë, UNICEF dhe MSh kanë mundësuar që të rinovojnë krejt zinxhirin e ftohjes në Kosovë”, theksoi ajo. /kp/

 

Exit mobile version