Telegrafi

Hapësira ajrore, Kosova humb 45 mijë euro në ditë

Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, për çdo aeroplan që do të duhej të fluturonte në hapësirën e lartë ajrore buxheti i Kosovës do të përfitonte nga 100 euro, e që numri i tyre sillet deri në 450 në ditë.

Gjatë raportimit të punës së Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës para Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë,Tregti dhe Industri, është njoftuar se kjo pengesë po i kushton vendit shumë. Mirëpo, gjatë këtij raportimi u dha edhe një shpresë se deri në fund të vitit, kjo hapësirë do të lirohet dhe do t’u lejohej kalimi i të gjithë aeroplanëve.

Sipas drejtorit të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Dritan Gjonbalaj, NATO pritet që deri në fund të vitit të dorëzoj hapësirën e lartë ajrore tek një shtet anëtar. “Në qershor, në takimin e shteteve anëtare të NATO-s, pritet që Këshilli të merr vendim për lirimin e hapësirës së lartë ajrore të Kosovës dhe të kontrollohet nga një shtet anëtar i aleancës”, tha ai.

Sipas Gjonbalajt, qindra aeroplanë detyrohen që kur të arrijnë në zonën ajrore të Kosovës, të fluturojnë përreth saj. “Çdo ditë, kalojnë nga 425 deri në 450 aeroplanë. Për çdo aeroplan paguhet taksë prej rreth 100 euro”, ka treguar ai.

Në bazë të një llogaritje të thjeshtë, nga kjo ndalesë Kosova humb nga 42 mijë e 500 euro deri në 45 mijë euro. Ndërsa në rast të lirimit të kësaj hapësire, Kosova çdo muaj do të përfitonte mbi një milion euro. /Telegrafi/