Telegrafi

Hapësira ajrore e Kosovës në duart e Fatmir Limajt

Kjo kompetencë deri më tani ka qenë e rezervuar nga UNMIK-u, institucion ky i cili ka dhënë lejet e fluturimit përmes Zyrës për Aviacion Civil, (CARO).

Fillimisht MTPT në bashkëpunim me Zyrën e Aviacionit Civil (ZAC), nënshkruan dhënien e 4 licencave për këto kompani: “Hamburg International” nga Gjermania, “Norwegian Air Shuttle” nga Norvegjia, “G-time Company” nga Danimarka dhe “Aurora” nga Sllovenia.

“Kjo tregon se Qeveria e Kosovës po merr kompetencat edhe në hapësirën ajrore dhe tash e tutje MTPT do të jetë përgjegjëse e dhënies së licencave për të gjitha aviokompanitë që dëshirojnë të fluturojnë në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës (ANP)”, tha ministri Limaj.

Ai theksoi se Kosova është në rrugë e sipër të themelimit të Agjencisë së Aviacionit Civil, e cila sipas tij, do të shënonte përfundimisht kalimin e kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët në këtë fushë, e cila identifikohet me atributet e sovranitet shtetëror. /Telegrafi/