Kompani të ndryshme të ndërtimit, energjetikës, teknikës, mobilierisë dhe paluejtshmërisë, që vijnë nga 12 vende të botës, po marrin pjesë në panairin që u hap sot në Prishtinë. Disa nga risitë që do të prezantohen këtë vit janë energjia termike, solare dhe pajisje solare mobile të cilat për të parën herë do të demonstrohen në këtë panair. Me qëllim të promovimit të bizneseve të tyre, po ashtu u hap edhe panairi i turizmit, udhëtimeve dhe hotelerisë.
Në hapjen e këtyre panaireve të pranishëm qenë edhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe të Malit të Zi. Për Qeverinë e Kosovës, prioritet mbetet zhvillimi ekonomik dhe krijimi i vendeve të reja të punës, që sipas përfaqësuesve institucional, turizmi është ndër sektorët më të rëndësishëm të këtij programi.
Në edicionin e 14-të të EXPOKOS-it, u tha se është aktiviteti më i madh promovues i sektorëve të ndërtimit, energjetikës, teknologjisë, mjeteve të punës në përgjithësi dhe paluejtshmërisë.
Lulzim Krasniqi, menaxher i CEO (Congress & Event Organization), tha se EXPOKOS është transportues i një platforme në mes përfaqësuesve të industrive dhe konsumatorëve.
“EXPOKOS” është ngjarje që transporton ndërtimin e një platforme me dialogun në mes përfaqësuesve dhe të industrive me konsumatorët, si dhe me përfaqësuesit e institucioneve të bizneseve, duke mundësuar një rrjedhëzim të bizneseve për të ecur më tutje drejt aktiviteteve të suksesshme afariste…Panairi si gjithmonë ka traditë vënien në pah të ndryshimeve që ndodhin gjatë një viti në aspektin e shërbimeve, në aspektin e produkteve, prandaj edhe kësaj here nuk do të mungojnë risitë që do të prezantohen në panairin “EXPOKOS”. Disa nga to do t’i veçoja risitë nga fusha e teknologjisë, gjegjësisht teknologjisë alternative, energjisë solare, që është një trend I ri nga global drejt asaj që quhet efiqencë energjike”, tha Krasniqi.
Ndërsa, sa i përket panairit të turizmit, udhëtimeve dhe hotelerisë, i cili këtë vit feston edicionin e 12-të, Krasniqi tha se është një panair unik i cili merret me promovimin e ofertave nga këta sektorë.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, zëvendësministri Avni Kastrati, në një fjalë rasti, siguroi që eventet të cilat do të kenë ndikim në rritjen e zhvillimit ekonomik të vendit, do të kenë përkrahjen e vazhdueshme nga ana e Ministrisë.
“Dua që të konfirmoj përkushtimin nga ana e ministrisë së tregtisë dhe industrisë në përkrahjen e eventeve që do të kenë ndikim në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë në vendin tonë në përgjithësi. Turizmi pa mëdyshje është një sektor i rëndësishëm në Kosovë, jo vetëm që krijon shumë shpejt vende të shumta të punës por gjithashtu është një mundësi për rritjen e imazhit të shtetit më të ri evropian, që është i ndryshëm nga ai i cili është i përcjellur kryesisht nga mediat të cilat shpeshherë e prezantojnë Kosovën me shumë probleme dhe pasiguri”, tha Kastrati.
Përfaqësuesit vendor theksuan se Kosova ofron mundësi të mira të turizmi malor dhe alpinizmit, atij kulturor bazuar në trashëgimitë tona historike dhe kulturore. Po ashtu, ekzistojnë potenciale për zhvillim e turizmit rural, ekologjik dhe turizmit alternativ.
Nga Ulqini, i pranishëm ishte Kryetari i Komunës, Fatmir Gjuka, i cili tha se Ulqini edhe këtë vit është i përgatitur që të presin numër sa më të madh të mysafirëve.
“Përpos lidhjeve shpirtërore që kanë kosovarët me ulqinakët dhe lidhjeve familjare, ne jemi edhe konkurrues në vitet e fundit. Jemi konkurrues sa i përket shtrirjeve, sa i përket ofertës turistike që ofron Ulqini dhe kjo u dëftua me datën 1,2 dhe 3 maj. Ky është një hap i mirë që ky sezon turistik do të jetë mëse i mirë, sa i përket numrit dhe fjetjeve që do të kemi në Ulqin. Ulqini vazhdon të jetë destinacioni kryesor për kosovarët për të pushuar, për t’u relaksuar gjatë muajve të sezonit veror. Do të thotë edhe këtë vit ne jemi të përgatitur si qytet, si komunë me të gjitha instancat e veta që nesër të presim numrin më të madh të musafirëve”, tha Gjuka.
“EXPOKOS” dhe “TRAVEL 2015”,do të jenë të hapur çdo ditë nga ora 10:00 deri në orën 18:00, deri më datën 9 maj. /Telegrafi/