Ministria e Ekonomisë sot ka bërë hapjen publike të ofertave për Ankandin e Parë Solar Foltovoltaik (FV) prej 100 MW.
Kryesuesja e Komisionit, Hada Jakupi, ka thënë se janë dërguar shtatë dërgesa, të cilat hapen sot.
“Sipas regjistrit të zyrës së arkivës janë pranuar shtatë dërgesa të caktuara me shifra individuale. Gjashtë janë pranuar më 31 dhjetor 2023 para orës 14:00 dhe një dërgesë është pranuar përmes postës më 1 shkurt 2024…dokumenti ofertues do të hapet sipas renditjes së pranimit dhe do të hapet vetëm origjinali përderisa kopja mbahet e pa hapur nga Ministria e Ekonomisë…”, u shpreh ajo.
Ndryshe, ofertuesit e kualifikuar do të kalojnë më pas në procesin e ofertimit elektronik ose “e-ankandit”, kur ata do të kenë mundësinë të ulin çmimin e tyre fillestar.
Ofertuesi që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët në përmbyllje të “e-ankandit” do të shpallet fitues.
Përveç ndikimit në sektorin e energjisë, ky projekt solar thuhet se do të sjellë përfitime të shumta. Komunitetet lokale do të përfitojnë nga mundësia e vendeve të reja të punës, zhvillimi i shkathtësive dhe transferimi i teknologjisë.
Për më tepër, një furnizim me energji elektrike më stabile dhe me kosto të ulët do të mbështesë të gjitha familjet dhe bizneset në Kosovë dhe do të ulë varësinë sezonale nga importi i energjisë.
Ky parashihet të jetë ankandi i parë prej shumë ankandeve solare dhe të erës në të ardhmen. Kosova fton investitorët dhe zhvilluesit që t’i bashkohen në shfrytëzimin e potencialit të vendit për energji të ripërtërishme dhe të kontribuojnë për një të ardhme të qëndrueshme. /Telegrafi/