Site icon Telegrafi

Hapen ofertat e ankandit të parë solar foltovoltaik prej 100 MW, ofertojnë gjashtë kompani dhe konsorciume

Ministria e Ekonomisë sot ka hapur ofertat e ankandit të parë solar foltovoltaik (FV) prej 100 MW, në praninë e mediave, ku janë bërë publikë emrat e 6 kompanive dhe konsorciumeve që kanë dorëzuar ofertat.

Gjashtë kompani nga vende të ndryshme si Kosova, Turqia, Franca dhe Egjipti dorëzuan ofertat e tyre për ndërtimin e implantit solar prej 100 megavatësh në Kosovë, proces ky që u realizua në prani të komisionit vlerësues.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, kompanitë dhe konsorciumet që kanë ofertuar janë:

Konsorciumi “Çalik-Limak” nga Turqia,

Kompania “Notus Energy Kosovo” nga Gjermania, përfaqësia në Kosovë,

Kompania “Akuo Energy SAS” nga Franca,

Kompania “Elswedy Electric” nga Egjipti,

Konsorciumi “Guris Insaat Muhendishik” nga Turqia, si dhe

Konsorciumi “Orllati” nga Zvicra, përfaqësia në Kosovë.

Ankandi është mbyllur më 31 janar 2024 në ora 14:00, ku janë pranuar 6 oferta, ndërsa për tri ditë, deri sot në ora 14:00, ishte afati për pranimin e ofertave të mundshme përmes postës.

Pas hapjes së ofertave, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se pas një pune intensive në përzgjedhje të lokacionit dhe krijim të parakushteve optimale, përgatitje të kujdesshme të dokumentacionit të ankandit, sot po shpalosim gjashtë kompani ose konsorciume që kanë dorëzuar ofertat e tyre për ndërtimin e impiantit solar në Kosovë 100 megavatësh.

Ministrja e Ekonomisë sqaroi se gjatë procesit, përmes përgjigjeve në më shumë se 10 raunde të sqarimeve, jemi siguruar të udhëheqim një proces të drejtë e të hapur ku të gjitha palët janë të mirinformuara dhe shtoi se deri tani, me përkrahjen e USAID-it, është zhvilluar një proces i drejtë konkurrues me transparencë të plotë që mund të thuhet lirisht është një shembull për rajonin.

Ajo po ashtu shtoi se pranimi i këtyre ofertave sot nga investitorë serioz dhe me eksperiencë në fushën e energjisë së ripërtërishme, është një dëshmi e punës së palodhshme të Ministrisë së Ekonomisë dhe përkushtimit të Qeverisë të Republikës së Kosovës për të ofruar një mjedis fer e miqësor për investimet e huaja.

Ministrja Rizvanolli njoftoi se ky është vetëm projekti i parë në vazhdën e projekteve në dy viteve në vijim ku planifikohet të zhvillohen procedura konkurruese për ndërtimin e kapaciteteve të burimeve të ripërtërishme prej 950 megavatë, të cilat kapin vlerën prej 1.2 miliardë euro.

“Me po të njëjtin zell do të zhvillojmë edhe projektet tjera konkurruese pjesë e kësaj pako, duke filluar me ankandin 150 megavatësh të erës të cilin do ta lansojmë këtë vit”, tha në fund Ministrja Rizvanolli.

Gjatë javëve në vijim, komisioni vlerësues, i përbërë nga anëtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Zyrës e Rregullatorit për Energji, si dhe Operatorit të Transimionit – KOSTT, do të vlerësojë ofertat kundrejt kërkesave minimale financiare, profesionale dhe teknike, siç janë përcaktuar në dosjen e ankandit.

Si fazë e dytë, do të organizohet një ankand elektronik ose “e-ankandi”, ku kompanitë e kualifikuara do të kenë mundësinë të ulin çmimin e tyre fillestar duke garuar me njëra-tjetrën. Ofertuesi që ka dorëzuar ofertën me çmimin më të ulët në përmbyllje të “e-ankandit” do të shpallet fitues. /Telegrafi/

Exit mobile version