Infeksionet e përditshme të coronavirusit të Turqisë mbetën mbi 1.400 të mërkurën, njoftoi ministri i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, rreth 1.467 njerëz kanë dalë pozitivë në testet për COVID-19 në 24 orët e kaluara, duke e çuar në 181,000 numrin e përgjithshëm të rasteve.
Ndërkohë, numri i të vdekurve u rrit 4,842 me 17 vdekje të reja.
Dhe siç shkruan Daily Sabah, Turqia po sheh një prirje rritëse në numrin e përditshëm të infeksioneve pasi kafenetë, restorantet, palestrat, parqet, plazhet dhe muzetë ishin të autorizuar të rihapeshin, kufizimet e udhëtimit ndër-qytet u larguan dhe urdhrat e qëndrimit në shtëpi për të moshuarit dhe të rinjtë u lehtësuan në fillim të qershorit.
Kështu, siç thuhet më tej, numri i përditshëm i infeksioneve është ngjitur në rreth 1.500 në katër ditët e kaluara, pasi qëndronte “pezull” në rreth 800-900 më parë.
Mediat turke raportojnë se numri i përgjithshëm i të shëruarve nga sëmundja arriti në 153.379, ndërsa 732 pacientë mbeten në kujdes intensiv.
Turqia e ka bërë të domosdoshme mbajtjen e maskave të fytyrës në pesë provinca të tjera, pas një “sulmi” të shpejtë në rastet e COVID-19.
Koca shkruajti në Twitter të martën se veshja e maskave tani është e detyrueshme në 42 prej 81 krahinat e Turqisë.
Në provincat e mbetura, banorëve u kërkohet të mbajnë maska në transportin publik, në dyqane dhe qendra tregtare dhe u këshillohet të veshin maska dhe të zbatojnë praktikat e distancës sociale edhe në vendet tjera.
Në këtë drejtim, Koca shkroi: “Ne nuk mund të luftojmë kundër virusit pa maska”. /Telegrafi/