Site icon Telegrafi

Hapçiu-Alijaj nga DnV: Vazhdon dukuria e votimit familjar dhe fotografimit të votës

Organizatat jo qeveritare, të mbledhura rreth Demokracisë në Veprim (DNV), kanë prezantuar disa probleme që janë raportuar gjatë procesit të sotëm zgjedhor.

Mjellma Hapçiu-Alijaj, nga DNV, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se përqindja e daljes së votuesve deri më tani, është më e vogël sesa në zgjedhjet paraprake.

Sipas saj, qytetarët kanë prirje që të votojnë në orët e pasdites, duke shtuar se shpreson se edhe kësaj radhe kjo tendencë do të jetë e njëjtë.

“Krahasuar me zgjedhjet e 11 qershorit, kemi një rënie të numrit të votuesve për të njëjtën orë. Kemi probleme me të cilat po ballafaqohen qytetarët, si p.sh. mos gjetja e emrave nëpër lista. Po të njëjtit persona ankoheshin se nuk e gjenin veten në listë të votuesve. Informimi prej KQZ-së ka ndodhur shumë vonë. Përveç  OJQ-ve, që kanë punuar me grupmoshat e reja për t’i vetëdijësuar, KQZ-ja nuk punuar në këtë drejtim, gjë e cila po reflektohet edhe në ditën e zgjedhjeve”, ka shtuar Hapçiu-Alijaj.

Ajo ka treguar për disa probleme të raportuara që në orët e mëngjesit, si problemi i ngatërrimit të vulave të KQZ-së. “KQZ ka treguar se ka qenë një gabim teknik. Kemi pasur tentime për të votuar më shumë se njëherë, në 26 raste”.

“Votimi familjar ka ndodhur në 1996 raste. Më pas kemi prapë problemin me fotografim të votës, trend ky që fatkeqësisht po vazhdon, duke e ditur se fotografimi i votës është vepër që mund të dënohet deri me tri vjet burgim”, ka shtuar Hapçiu-Alijaj.

Sipas saj, ka mungesë të informimit për mënyrën e votimit, veçanërisht për të rinjtë, gjë e cila mund të ndikojë në rritjen e numrit të votave të pavlefshme. /Telegrafi/

Exit mobile version