Jens Thurau
Ç’solli Konferenca e Klimës në Bon? Një sukses ashtu si duan të na e shesin atë të deleguarit e shteteve? Një injorim i rëndësisë së ndryshimit të klimës, sikurse mendojnë grupet e mbrojtjes së mjedisit? E vërteta është si gjithmonë diku në mes.
Të deleguarit kanë të drejtë: qysh në fillim ishte e qartë, se në Bon do të flitet vetëm për detaje mjaft komplekse dhe teknike të Marrëveshjes së Parisit për Klimën të vitit 2015. Si p.sh. si do të mund t’i krahasojnë 190 vendet e OKB-së objektivat e tyre për klimën të përcaktuara në Paris. Kjo nuk tingëllon interesante. E, të gjitha këto çështje duhet të vendosen përfundimisht pas një viti në Konferencën e ardhshme për Klimën në Poloni. Pra, dalëngadalë po avancon karvani i klimës. Gjithmonë duke u sjell rreth çështjes delikate të të gjitha konferencave të OKB-së – unanimitetit në fund. Duhet shumë optimizëm dhe durim, për ta gjetur këtë. Nga ana tjetër, mund të kishte dalë edhe më keq, me një situatë të tillë të zbehtë të vendimmarrjes.
Grupet ekologjike kanë vendosur gishtin në njërën plagë në Bon: asnjëherë tjetër nuk është folur kaq shumë për energjinë e qymyrit në një konferencë për klimën sa në Bon. Kjo energji ende vazhdon të përdoret në Kinë, në Indi, në SHBA, e pavarësisht të gjitha përpjekjeve për të avancuar me energjitë e rigjenerueshme edhe në Gjermani, që si vendi organizator i konferencës sivjet u përball edhe me pyetje të pakëndshme, se përse ky vend nuk ia del t’i realizojë objektivat për klimën.
A nuk janë gjermanët, që e paraqesin veten si paraprijës për mbrojtjen e klimës?
Jo realiste ishin pritjet nga fjalimi i kancelares në Konferencën e Klimës, pasi ishte e qartë: Angela Merkel nuk mund të përmendnjë datë për nxjerrjen nga përdorimi të energjisë së qymyrit, sepse ajo ende nuk e di nëse dhe me kë do të mund të vazhdojë të qeverisë në Berlin. 23 shtete kanë deklaruar në Bon, se shpejt duan të heqin dorë nga energjia e qymyrit – Gjermania nuk bën pjesë në këtë grup. Kjo ka të bëjë me faktin se një qeveri e komanduar nuk mund të marrë një vendim të tillë me efekt afatgjatë. E pra mund të thuash është gjetur koha e papërshtatshme.
Bëhet e qartë: pas euforisë së Parisit para dy vjetësh, politika ndërkombëtare për klimën sërish ka arritur në nivelin e mundimeve për detajet. Premtimet e vitit 2015 tani duhet të zbatohen, por kjo është e vështirë. Në aspektin gjeopolitik kohët gjithësesi nuk janë të përshtatshme për marrëveshje multilaterale: despotë dhe nacionalistë në Europën Lindore, në Turqi dhe SHBA nuk kanë receptorë për mbrojtjen e klimës.
Por, sidoqoftë, sa i përket SHBA-ve: tashmë kanë kaluar kohët, kur të gjitha shtetet shihnin nga SHBA-të, nga ulje-ngjitjet e saj lidhur me politikën e klimës. Herë bllokadë nën republikanët, herë përparim si me Barack Obaman. Prej kohësh bazat janë hedhur. Vendet në zhvillim dhe ato në ekspansion ekonomik, si dhe shtetet e industrializuara bashkëpunojnë, japin para për përshtatjen me ndryshimin e klimës, formulojnë objektiva. Qytetet dhe rajonet, madje edhe ato në SHBA bënë të qartë në Bon, se nuk do të lejojnë të ndalen prej mohuesit të klimës Donald Trump.
Por, të gjitha këto janë të pamjaftueshme. Sepse koha nuk pret më, e kjo është e drejtë. Një tjetër skenë për ta zgjidhur problemin e njerëzimit, ndryshimin e klimës, nuk ka. Prandaj karvani i klimës vazhdon.