Zvicerania anonime i kishte thënë shefit të saj se nuk mund të punojë para kompjuterit sepse doktori i kishte thënë se duhet të rrijë e shtrirë në errësirë. Por, më vonë gjatë të njëjtës ditë ishte aktive në rrjetin e popullarizuar për shoqërim online – Facebook. Kompania e sigurimeve Nationale Suisse thotë se me këtë ajo e ka humbur besimin e tyre.
“Këtu bëhet fjalë për besimin, e jo për Facebook”, thuhet në deklaratë.
Gruaja është mbrojtur se duke qenë e shtrirë në krevat kishte shfletuar profilin e saj nëpërmes celularit iPhone dhe e ka paditur punëdhënësin i cili ka dashur të “kap” atë dhe të punësuarit tjerë duke u dërguar “ftesa miqësie” misterioze me të cilat ka pasur qasje në aktivitetin e tyre online.
Kompania Nationale Suisse ka hedhur poshtë akuzat. Ata kanë pohuar se rastësisht kishin dëgjuar nga një kolege se e punësuara ishte aktive në Facebook. Jo shumë kohë pas këtij rasti, në muajin nëntor të vitit të kaluar, kanë ndaluar përdorimin e këtij rrjeti të popullarizuar në vendin e punës.