“Në terrenin sportiv është një hap përpara, pasi po thyhet izolimi, por politikisht në asnjë mënyrë nuk mund të jetë i favorshëm për Kosovën”, tha ish-basketbollisti dhe aktalisht njohës i qështjeve juridike, Artan Qerkini. “Miqësoret janë një mundësi e mirë që të shohim se ku jemi, të përcaktohet niveli i zhvillimit të futbollit kosovar. Thjeshtë për të ditur se çfarë janë cilësitë tona karshi të tjerëve”.
Qerkini thotë se FIFA gjatë marrjes së këtij vendimi FIFA nuk e ka llogaritur Kosovën si shtet. “FIFA në asnjë mënyrë nuk na ka llogaritur si shtet me rastin e marrjes së këtij vendimi, por si një federatë që nuk kontrollohet nga një federatë anëtare e FIFA-s. Pra FIFA është nisur nga ajo që në Kosovë luhet futboll dhe nën rregullat e saj. Kështu ajo ia ka mundësuar Kosovës të luaj ndeshje miqësore, por duhet thënë se ka dallim në mes të ndeshjeve zyrtare dhe miqësore”, shtoi Qerkini.
“Vendimi është edhe si rezultat i një kompromisi, i cili gjithmonë është i dhimbshëm për palët, e në këtë rast Kosovën”. Ai vlerëson se megjithë mohimet e mundshme të palës kosovare, vendimi është marrë në pajtim me Serbinë. “FIFA ka pasur disa takime me Kosovën dhe Serbinë para marrjes së vendimit. Thuhet se nuk ka marrëveshje, përveq nëse ekziston ndonjë interne, por këto janë vetëm spekulime. Vendimi është akt i njëanshëm dhe FIFA e ka marrë atë pas negociatave që ka bërë me palët. Ai mund të respektohet ose mos të respektohet, kjo është qështje e palëve”, tha në vazhdim Qerkini. “Kosova do të luaj ndeshje pa atribute shtetërore, flamur e himn, e që për mua është humbje ën aspektin politik”.
“FIFA vendimin e ka marrë si një balans në mes të sportit dhe politikës, edhe pse jemi dëshmitarë që vendimet merren gjithnjë politikisht”. Se Serbia ka pasur ndikim në kushtet e këtij vendimi tregon edhe fakti se para marrjes së tij ishte paralajmëruar se Kosova do të luaj miqësore me Kroacinë, mirëpo kjo ra në ujë, pasi që në vendim u fut kushti që Kosova nuk ka të drejtë loje me shtetet e dalura nga ish-Jugosllavia. E për kushtin që FIFA pas njoftimit të Kosovës për ndeshje miqësore të njoftoj Serbinë, Qerkini thotë:
“Njoftimi nuk mund të ketë efekte juridike, por kjo do të thotë se dikush tjetër po vendos për neve. FIFA e ka marrë këtë vendim e në Kosovën mbetet ta pranoj si të tilla apo jo. Mendimi është se kjo është bërë për të mos e defaktorizuar Serbinë”. Vendimin e FIFA-s analisti i njohur politikë Behlul Beqaj e ka vlerësuar si sakrificë të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe nxitje për sportistët kosovar. “Vendimi për të luajtur ndeshje miqësore është i mirë për futbollistët dhe futbollin kosovar, pasi që ata janë fitues të këtij vendimi . Mirëpo politikisht ai nuk sjellë asnjë të mirë për Kosovën”, thotë Beqaj.
“Politikisht kjo është një sakrificë për Kosovën, por që në këtë rast u vërtetua se politika është ajo që vendos në fund”. Beqaj ka thënë se i është bërë një favor Serbisë. “Normalisht që është pyetur Serbia në marrjen e këtij vendimi, pasi që të gjitha pikat e atij vendimi i ka kërkuar Serbia, por megjithatë ky është vendim i mirë për sportin”, tha Beqaj. /Zëri/Telegrafi/