Site icon Telegrafi

Hap fals nga Atletico Madridi në garë për titull, mposhten nga Sevilla

Sevilla e ka mposhtur Atletico Madridin në kuadër të javës së 29-të në La Liga me rezultat 1-0.

Pas vetëm tetë minutash lojë, vendasit kishin mundësinë që të kalonin në epërsi, mirëpo Lucas Ocampos dështoi nga pika e bardhë.

Ky ishte rasti më serioz i pjesës së parë, derisa në të dytën kishte një tjetër ritëm të lojës.

Los Rojiblancos kërkonin me ngulm që të kalonin në epërsi, mirëpo këtë gjë e shfrytëzoi Sevilla.

Në 45 minutat e dytë, Atletico rrezikoi me anë të Angel Correas (46’), por pasimi i tij ishte shumë i fortë për Luis Suarezin.

Momenti më i rëndësishëm i këtij takimi erdhi në minutën e 70-të, kur Jesus Navas asistoi për Marcos Acuna, që shënoi me kokë.

Atletico Madridi do të mbetet pa Suarezin dhe Marcos Llorenten në ndeshjen e radhës, pasi kanë plotësuar numrin e kartonëve të verdhë.

Pas javës së 29-të, Atletico Madridi vazhdon të jetë lider me 66 pikë, tre më shumë se Real Madridi dhe katër më shumë se Barcelona që ka një ndeshje më pak. /Telegrafi/

Standings provided by SofaScore LiveScore
Exit mobile version