Telegrafi

Hap dyert në Frankfurt panairi i 59-të ndërkombëtar i librit

Organizatorët e panairit parashikojnë që deri të dielën aktivitetet e panairit dhe stendat do t’i vizitojnë rreth 300.000 vizitorë.

Këtë radhë i ftuar nderi i panairit është rajoni i Katalonjës, i cili prezantohet në panair me rreth 150 autorë. Edhe fjalën e hapjes së Panarit e mbajti autori nga Katalonja, Quim Monzó.

Në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Frankfurt po marrin pjesë edhe disa botues nga Kosova. Shoqata e Botuesve të Kosovës (SHBK) me ndihmën e Ministrisë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sivjet ka siguruar një stendë në këtë panair në të cilin marrin pjesë shtëpitë botuese: "Dukagjini", "Faik Konica", "Buzuku" etj.

Ndërkaq nga Shqipëria botimet e tyre do t’i paraqesin shtëpitë botuese: "Onufri", "Ombra", "Dituria" etj. Poetja e njohur Luljeta Lleshanaku, poetja dhe koleksionistja e artizanaleve, Luljeta Dano, si dhe poetja Ledia Dushi, do të mbajnë një takim letrar në Frankfurt.