Telegrafi

Hansi Flick zbulon tipin e lojtarit që i duhet patjetër Barcelonës për të arritur suksese

Trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, i ka kërkuar Barcelonës që të nënshkruajë me lojtarë që janë në gjendje t’ia fitojnë atij ndeshjet.

Barcelona është lidhur me një transferim të dy yjeve të Spanjës në Euro 2024, Dani Olmo dhe Nico Williams gjatë kohëve të fundit.

Gjiganti katalanas raportohet se ka avancuar drejt finalizimit të marrëveshjes për Williams, pasi kanë shprehur gatishmërinë të paguajnë klauzolën e tij të lirimit prej 58 milionë eurosh.

Mes spekulimeve për transferimin e një lojtari të ri, Flick, gjatë një interviste për kanalin zyrtar të Barcelonës, i kërkoi klubit të sjellë lojtarë të cilët mund të fitojnë ndeshje për ekipin, teksa tha se synon ta çojë klubin në një nivel tjetër.

“Ne duhet ta sjellim një lojtar i cili mund të fitojë ndeshje, por gjithashtu kemi lojtarë të rinjë të cilët duhet t’i ndihmojmë në mënyrë që të përmirësohen”.

“E kam ndjerë që nga dita e parë pasionin që njerëzit e kanë këtu. Tifozët. Të gjithë. Presidenti. Të gjithë këtu, të gjithë ata që punojnë, e kanë atë pasion për Barcelonën”.

“Dhe kjo është diçka e madhe për ne sepse ne jemi pjesë e këtij grupi dhe jetojmë me këtë pasion dhe përkushtim. Ne duam të japim gjithçka që ta dërgojmë këtë klub në një nivel tjetër. Ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur”, ka thënë Flick.

Blaugranasit pritet që të udhëtojnë në Amerikë, aty ku do të luajnë disa ndeshje miqësore ndaj Manchester Cityt, Real Madridit dhe Milanit./Telegrafi/