Pjesa më e madhe e diskutimeve që u bën mbi atë se çfarë ka ndryshuar Hansi Flick që prej se mori drejtimin e Barcelonës u zhvendos tek stili i tyre i lojës dhe përmirësimi i disa lojtarëve.
Përveç kësaj, edhe atmosfera në dhomën e zhveshjes duket se është përmirësuar, dhe kjo u dëshmua përmes një anekdote të cilën Flick e tregoi pas fitores me rezultat 7-1 ndaj Valencias.
Blaugranasit ishin në kontroll total të ndeshjes dhe Flick vendosi që ta inkuadrojë në lojë Gavin për ta zëvendësuar Frenkie De Jong në 15 minutat e fundit të ndeshjes.
Tekniku gjerman u pa duke i dhuruar 20-vjeçarit një përqafim, që shumë e konsideruan si fakt që po futet në fushë.
Megjithatë, disa minuta më vonë, ishte Pablo Torre ai i cili e zëvendësoi holandezin dhe Flick e shpjegoi këtë rast pas ndeshjes.
“Situata që më ka bërë më së shumti përshtypje është kur bisedova me Gavin, të cilin doja ta inkuadroja në 15 minutat e fundit dhe ai tha: Jo, futeni në fushë Pablo Torren”.
“Kjo është e jashtëzakonshme, është e madhe. Ju mund ta shihni se si janë lojtarët, të lidhur me njëri-tjetrin”.
“Është fantastike dhe për mua si trajner është e jashtëzakonshme. E dua Gavin për sjelljen e tij dhe të thoshte diçka të tillë në atë moment, ishte fantastike”, ka thënë Flick.
Gavi së fundmi u rikthye në aksion pas një lëndimi që e la jashtë fushave për gati një vit dhe ka filluar që të punojë për ta siguruar një vend në formacionin titullar./Telegrafi/