Site icon Telegrafi

Hansi Flick ‘i qon në qiell’ lojtarët e Barcelonës pas debaklit që i shkaktuan Valladolidit

Ishte një pasdite e këndshme për Barcelonën kjo e së shtunës pasi ata fituan me rezultat të thellë 7-0 ndaj Real Valladolidit.

Ky rezultat ka siguruar që blaugranasit të vazhdojnë me rekord 100 për qind të fitoreve duke mbajtur kështu lidershipin në La Liga deri në përfundim të pauzës me kombëtare.

Hansi Flick ishte i kënaqur me rezultatin dhe performancën. Ai i lavdëroi lojtarët e tij dhe gjithashtu i falënderoi tifozët për mbështetjen.

“Ekipi ka bërë shumë mirë. Që nga fillimi, ata ishin në 100 për qind, me presion dhe me shumë intensitet”, ka thënë fillimisht Flick.

“Jam i lumtur për tifozët, koret e tyre janë për ekipin. Njerëzit në rrugë na dhurojnë shumë energji dhe ka një mentalitet të madh dhe një atmosferë brenda ekipit. Kur e shihni se sa të emocionuar janë tifozët pas fitores, ju e shihni një ekip që nuk humbet intensitetin pas shtatë golave, është shumë e mirë. Kjo i bën tifozët të ndihen krenar. Ne jemi këtu për të dhuruar më të mirën”.

Flick gjithashtu ka dhënë lëvdata të tjera, duke përmendur rolin që kanë disa njerëz të ndryshëm, përfshirë drejtorin sportiv Deco.

“Para fillimit të parasezonit ne tashmë kishim analizuar gjithçka nga fillimi deri në fund. Më duhet ta falenderoj Decon. Ata kanë punësuar shumë ekspertë për stafin e ekipit, ekipi mjekësor është i shkëlqyeshëm. Kjo gjithashtu i motivon lojtarët, duke e ditur se janë në duar të sigurta”, përfundoi tekniku gjerman.

Pas përfundimit të pauzës me kombëtare, Barcelona do të luajë ndaj Gironës në udhëtim./Telegrafi/

Exit mobile version