Site icon Telegrafi

Hansi Flick flet për herë të parë si trajneri i Barcelonës, prek një sërë temash

Kanë kaluar gati dy muaj që kur Hansi Flick u emërua trajner i Barcelonës, duke zëvendësuar Xavi Hernandezin e shkarkuar. Ai kurrë nuk kishte folur publikisht deri më tani.

Flick dha sot (e shtunë) intervistën e tij të parë për Barca One, kanalin zyrtar mediatik të Barcelonës. Ai foli për një sërë temash, të cilat përfshinin javët e tij të para në punë. Ai gjithashtu diskutoi efektin që Barcelona ka pasur në stilin e tij menaxherial dhe taktik.

“E kam ndjerë që nga dita e parë, pasionin që kanë njerëzit këtu, tifozët, presidenti… të gjithë këtu që punojnë për Barcelonën e kanë këtë pasion, përkushtimin për të dhënë më të mirën për këtë klub, dhe kjo është gjithashtu e mrekullueshme për ne, sepse duam të jemi pjesë e këtij klubi dhe duam gjithashtu të jetojmë me këtë pasion, këtë përkushtim, sepse duam të japim gjithçka që kemi për ta çuar këtë klub në një nivel tjetër. Nuk e di nëse do ta bëjmë, por do të bëjmë më të mirën”, ka thënë fillimisht Flick.

 

“Kur vendosa të bëhem trajner, shikova Barcelonën sepse ata luanin futboll fantastik. Ju mund të shihni se si ata i zhvillojnë lojtarët, të gjithë flasin për këtë dhe gjithashtu pasioni që ndjeni këtu është i jashtëzakonshëm, dhe kjo është arsyeja pse ne jemi të lumtur që jemi këtu. Që në ditën e parë që e ndjeva, të gjithë tregojnë respekt, është e pabesueshme ajo që po përjetojmë”.

Flick preku gjithashtu javën e parë apo më shumë të stërvitjeve parasezonale. Ai pranoi se është befasuar shumë këndshëm nga niveli i treguar nga lojtarët më të rinj që janë përfshirë në formacionin e ekipit të parë.

Lexo po ashtu Dy formacionet e mundshme të Barcelonës me Nico Williams dhe Dani Olmo në 11-she

“Faleminderit La Masia. Ajo që po shoh në seancat e para stërvitore është e pabesueshme. Normalisht kur lojtarët ndërkombëtarë janë ende me pushime dhe sjell shumë lojtarë të rinj, cilësia bie pak. Këtu, thjesht nuk është kështu”, përfundoi gjermani.

 

Flick pritet të vazhdojë trashëgiminë e Xavit për promovimin e lojtarëve të rinj në ekipin e parë.

Sezonin e kaluar, lojtarë si Lamine Yamal, Pau Cubarsi, Fermin Lopez dhe Hector Fort, të gjithë e bënë këtë hap – mbetet për t’u parë se kush e bën këtë për Barcelonën gjatë sezonit 2024/25. /Telegrafi/

Exit mobile version