Site icon Telegrafi

Hani i Elezit do të bëhet me hidrocentral

Në Komunën Hani i Elezit të enjten është vendosur gurthemeli për nderimin e hidrocentralit “Lepenc1 ” me kapacitet 9.98 MW nga kompania “Hidroenergji”.

Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin, përfaqësues të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, përfaqësues tjerë të qeverisë së Kosovës, përfaqësues të Komunës Hani i Elezit, përfaqësues të Komunës së Kaçanikut, përfaqësues të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, përfaqësues të bankave, operatorë të sektorit të energjisë në Kosovë, përfaqësues të shoqërisë civile si dhe të ftuar të tjerë.

Projekti do të ndihmojë në arritjen e standardeve Evropiane për prodhim të energjisë elektrike nga burimet e ripërtërishme dhe do të
promovojë jetesë të shëndoshë dhe ekologjike, duke mos i shkaktuar dëme mjedisit dhe duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe mjedisor.

“Investimi për ndërtimin e këtij hidrocentrali kap shumën mbi 14 milion Euro. Hidrocentrali do të ndërtohet sipas standardeve të Bashkimit Evropian për prodhimin e energjisë së rinovueshme dhe do të ndërtohet brenda afatit ligjor të përcaktuar nga ZRRE-ja”, theksoi Ylber Shamolli, drejtor i kompanisë “Hidroenergji” nga Kosova.

Të pranishëm tjerë me fjalë rasti përuruan kompaninë “Hidroenergji” për punën e bërë dhe premtuan projekte tjera të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ripërtrishme, kërkesë kjo e vazhdueshme edhe nga Bashkimi Evropian dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Me fjalë
rasti të pranishmëve iu drejtuan edhe Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik Gani Koci, Kryetari i Bordit te Zyrës së Rregullatorit për Energji Enver Halimi, nënkryetar i Komunës Hani i Elezit, Menduh Vllashi.

“Gjatë fazës së zhvillimit të projektit të hidrocentralit do të hapen dhjetëra vende pune si dhe një numër vende pune të përhershme pasi të fillojë së punuari hidrocentrali. Projekti ndikon në përmirësimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Kosovës dhe ky gurthemel që po e vendosim sot do të jetë gurthemel i zhvillimit të zonës së Komunës Hani i Elezit”, u tha në përfundim të evenimentit. /Telegrafi/

Exit mobile version