Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, së bashku me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, sot kanë nënshkruar një Marrëveshje Mirëkuptimi për projektin “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit ” i cili ka vlerën prej 50 mijë euro dhe që financohet nga MMPH.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit Matoshi, tha se MMPH-ja do të vazhdoj të përkrahë komunën e Hanit të Elezit në fushat që lidhen me mjedisin dhe planifikimi hapësinor.
“ Sapo nënshkruam një marrëveshje bashkëpunimi për financimin e projektit që ka të bëjë me largimin e azbestit në lumin Lepenc dhe rreth tij. Hani i Elezit është ndër komunat më të varfra në Kosovës për të cilën ne si Ministri e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk do të kursehemi ta mbështesim në zhvillimin e saj edhe më tutje jo vetëm në këtë projekt, por në të gjitha fushat që lidhen me mjedisin dhe planifikimin hapësinor”, deklaroi Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma falënderoi Matoshin për mbështetje në financim të projektit për largimin e azbestit nga lumi Lepenc duke e vlerësuar si një projekt të rëndësishëm për komunën.
Projekti “Pastrimi i Lumit Lepenc nga mbeturinat e Azbestit”, do të rregullojë një nga problemet më të mëdha dhe më të rrezikshme që ka Komuna e Hanit të Elezit, atë të largimit të azbestit. /Telegrafi/