Site icon Telegrafi

HANDIKOS Pejë, mbështetje për shumë fëmijë me nevoja të veçanta

HANDIKOS në Pejë

Puna e Organizatës HANDIKOS në Pejë është një shembull i përkushtimit për ofrimin e mbështetjes për personat me nevoja të veçanta, sidomos për fëmijët, duke pasur në fokus ndihmën dhe shërbimet terapeutike.

Drejtori i kësaj organizate, Egzon Qorkadiu, ka deklaruar për Telegrafin se qendra ofron një gamë të gjerë shërbimesh për personat me aftësi të kufizuara, duke mbuluar afro 2 mijë persona në të gjithë rajonin e Pejës, të cilët pajisen me karton për persona me aftësi të kufizuara.

“HANDIKOS-i në Pejë numëron përafërsisht 64 fëmijë që marrin shërbime direkt sepse numri total i fëmijëve apo i gjithë anëtareve sepse ne pajisemi me një karton për persona me aftësi të kufizuara fizike shkon 1.834 për momentin”, ka thënë ai.

Sipas Qorkadiut, grup moshat që përfitojnë nga shërbimet e HANDIKOS-it janë nga mosha dyvjeçare e deri në moshën madhore.

“Fëmijët fillojnë prej moshës dyvjeçare deri te mosha 18 vjeçare, pastaj është mosha e të rriturve prej 18 deri 26…etj, ”, tha tutje Qorkadiu.

Ndërsa fizioterapeutja e HANDIKOS-it në Pejë, Dea Broqi, shpjegon se si shërbimet terapeutike janë të përshtatura për nevojat specifike të fëmijëve, duke theksuar se edhe pse procesi ka vështirësi, ato tejkalohen me përkushtim dhe përpjekje të vazhdueshme.

“Unë këtu ofroj shërbime terapeutike për fëmijët të cilët kanë probleme të shumta siç është paraliza cerebrale, kontrakturat, hemipareza dhe vështirësitë e tjera të cilat janë të kombinuara. Ne këtu pra ofrojmë shërbime terapeutike ku një seancë zgjatë 45 minuta…”, është shprehur Broqi për Telegrafin.

Mbështetja e ofruar nga HANDIKOS shkon përtej shërbimeve terapeutike, duke përfshirë gjithashtu ndihmë emocionale dhe sociale për familjet e fëmijëve me nevoja të veçanta.

Bajram Rexhepi, një nga prindërit që përfitojnë nga këto shërbime, e vlerëson këtë mbështetje dhe rëndësinë që ka për mirëqenien e fëmijëve.

“Ku ka fëmijë të sëmurë Zoti i ruajt sepse duhet të dalin pak me shëtit pak ndokund e të gjitha këto i ofron Egzoni nga HANDIKOS-i”, ka përfunduar ai.

Përveç ndihmës që HANDIKOS-i ofron nëpërmjet stafit të tij, organizata gjithashtu ofron pajisje të nevojshme si shtretër dhe karrige ortopedike për personat me nevoja të veçanta. /Telegrafi/

Exit mobile version