HANDIKOS gjatë inspektimit të disa zonave të kryeqytetit ka hasur në numër të madh të pjerrinave të cilat edhe pse të ndërtuara, nuk qëndrojnë sipas standardeve dhe Udhëzimit Administrativ 33/2007, apo edhe në të tilla të cilat kanë nevojë urgjente për renovim.
Kjo organizatë thekson se një pjerrinë e cila gjendet në lagjen “Dardania”, e ndërtuar prej më shumë se 15 vjetësh asnjëherë nuk është shfrytëzuar siç duhet për kalim nga personat me aftësi të kufizuara, për shkak se nuk qëndron konform standardeve dhe nuk është në nivelizim me trotuarin, siç edhe parashihet.
Përveç papërshtatshmërisë së saj, pjerrina me kalimin e kohës është dëmtuar, gjë që edhe më tepër pamundëson kalimin e lirë dhe pa pengesa të përdoruesve të karrocës, dhe jo vetëm.
“Në anën tjetër, kohëve të fundit në sheshin e Prishtinës janë ndërtuar tri pjerrina paralelisht të cilat konsiderohen të mos jenë në vendin e duhur, duke qenë se rruga përmes tyre çon në ndërtesat pa lift dhe në daljet anash të cilat janë të bllokuara me shkallë”.
Më tej thuhet se komuna e Prishtinës më 2016 kishte aprovuar Planin lokal të Veprimit ku përfshihen çështje të ndryshme për personat me aftësi të kufizuara, ndër to edhe qasshmëria.
“Prandaj, HANDIKOS inkurajon Drejtorinë e Urbanizmit për bashkëpunim dhe konsultim me personat me aftësi të kufizuara, si dhe organizatat për personat me aftësi të kufizuara gjatë planeve për ndërtimin e pjerrinave dhe trotuareve, që ato të realizohen aty ku duhet dhe siç duhet, në mënyrë që të jenë funksionale për të gjithë qytetarët”, thuhet në reagim.