Në fillim të muajit tetor Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim për rritjen e pensioneve edhe për personat me nevoja të veçanta, por në Shoqatë “Handikos” e Gjakovës po e konsiderojnë të pamjaftueshme këtë rritje.
Në një intervistë dhënë Telegrafit, Arbër Xharra, nga shoqata ‘Handikos’ në Gjakovë tha që rritja e këtyre pensioneve është e mirëseardhur, por e pamjaftueshme.
“Neve si Handikos në Gjakovë na gëzon fakti që çdo progres në raport me personat me aftësi të kufizuar për neve është lajm i mirëseardhur, edhe pse rritja që është bërë në bashkëbisedim me anëtarët tanë, të cilët edhe pse janë falënderues për këtë rritje. Megjithatë ata konsiderojnë që vlera e rritjes së pensioneve është e vogël, në raport me shpenzimet ditore që ata kanë.”, tha Xharra për Telegrafin.
Xharra po ashtu foli edhe për funksionimin e degës së Shoqatës ‘Handikos’ në Komunën e Gjakovës.
“Prej vitit 2016 ‘Handikos’ në Gjakovë ekziston si organizatë në vete, meqenëse para këtij viti kemi qenë si degë e Handikosit të përgjithshëm, i cili ka qenë me sistem të centralizuar, ku drejtoria qendrore ka qenë në Prishtinë. Qëllimi kryesor i organizatës tonë është promovimi dhe fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara dhe ofrimi i shërbimeve multidisiplinare për personat me aftësi të kufizuara, me theks të veçantë për fëmijët nga zero deri në 18 vjeç”, shtoi tutje Xharra.
Intervistën e plotë me Arbër Xharra, përfaqësues nga ‘Handikos’- Gjakova, mund ta ndiqni në videon më poshtë. /Telegrafi/