Regjisorja dhe autorja e njohur shqiptare, Hana Noka, e cila jeton dhe vepron në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar se është duke realizuar një projekt të ri shumë të veçantë.
Ajo ka njoftuar përmes një fotografie të publikuar në Instagram se është në realizim e sipër të një dokumentari të ri, i cili i kushtohet mbrojtjes së të drejtave të qenve.
Në fotografi, Hana mund të shihet me qenin e saj, Lukcy Lister, ndërsa thotë se dokumentari do të shqyrtojë edhe të drejtat e shkelura të kafshëve në Kosovë, në veçanti qenve.
Ky është njoftimi i saj i plotë:
“Përshëndetje, siç e dini disa prej jush-unë jam një regjisore, aktore, autore, por më e rëndësishmja një aktiviste për të drejtat e kafshëve dhe një adoptuese e këtij qeni 14-vjeçar Shih tzu të quajtur Lucky.
Po filloj një aventurë të re me projektin tim të fundit, filmin dokumentar me metrazh të gjatë, me titullin e punës, ‘The Citizen Paw’. Ky dokumentar i kthen lentet në qoshet e neglizhencës së qenve endacakë në Kosovë që për kaq shumë vite janë mbështetur në errësirë. Dokumentari gjithashtu do të tregojë historitë e samaritanëve të mrekullueshëm nga ShBA-ja dhe vende të tjera, aktivistë dhe organizata vendase dhe ndërkombëtare për të drejtat e kafshëve, gjithashtu do të tregojë anën e errët: luftime të paligjshme të qenve, raste tragjike të helmimeve dhe shumë më tepër.
Qentë e lënë pas dore dhe të braktisur nuk kanë zë, por ne kemi.
Shpresojmë që ky dokumentar të na japë një mundësi për të treguar se çfarë bekimi janë qentë shpëtues dhe se ata meritojnë një shans të dytë”, ka shkruar Noka. /Telegrafi/