Site icon Telegrafi

Hamza: Rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4.7%

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se rritja ekonomike për vitin 2019 do të jetë 4.7 për qind.

Ai këto deklarata i bëri në mbledhjen e Komisionit për Buxhet dhe Financa ku u shqyrtua Projektligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2019 dhe deklaroi se të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë euro.

“Nuk është buxhet që i reflekton nevojat e Kosovës, por është një draft-ligj i shqyrtuar në bazë të mundësive, por ka rritje 12.5 për qind se në vitin aktual. Rritja ekonomike pritet të jetë 4.7 për qind në terma real dhe pritet të jetë më i lartë se viti paraprake. Sa i përket çmimeve pritet një stabilitet i theksuar. Projeksionet mbi të hyrat janë të ndërtuara mbi parimet: politikat tatimore do të jenë mbështetës të sektorit privat, ATK dhe Dogana do të përmirësohen tutje, do të luftohet informaliteti, të hyrat totale buxhetore pritet të jenë mbi 1 miliard e 400 milionë. Investime kapitale kanë rritje për 10% apo 770 milionë euro, kjo vjen si rezultat i nevojave”, tha Hamza.

Sipas Hamzës, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, ku shtoi se deficiti buxhetor do të jetë 2 për qind në bruto-produktin vendor që është i lejuar.

“Duke u bazuar në rritjen e të hyrave kemi bërë planifikim edhe për shpenzimet. Do të ketë rritje të theksuar në rritjen e kapitalit publik, rritje do të ketë për të gjitha kategoritë ekonomike, në veçanti në nivelin lokal. Kemi rritje të planifikuar mbi shpenzimet rrjedhëse. Deficiti buxhetor do të jetë 2 për qind në Produktin e Brendshëm Bruto që është i lejuar. Ky nivel i deficitit do të kombinohet me huamarrje të jashtme dhe të brendshme. Do të ketë huamarrje por asesi huamarrje që dëmton vendin dhe fut në borxh publik. Por trendi i borxhit publik është stabilizuar”, tha ai.

Në fund, Projektligji për Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2019, u miratua me 6 vota pro dhe 4 kundër. /Telegrafi/

Exit mobile version