Telegrafi

Hamza: Qeveria mund të merr vendime, por paratë nuk mund t’i lëshojë pa miratimin në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza ka thënë se paketa financiare e propozuar nga qeveria nuk mund të zbatohet pa kaluar në Kuvend.

Hamza, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, thotë se vendimet që ka marrë qeveria për të ndihmuar bizneset nuk mund të zbatohen pa u bërë plotësim ndryshimet e ligjeve në Kuvend.

“Aspektet teknike mund të përgatiten, por ekzekutimi i pagesave nuk mund të bëhen”, tha ai, përcjell Telegrafi.

Ish-ministri i Financave thotë se Ligji për financa nuk lejon që deficiti buxhetor të jetë më i lartë se 2%.

“Ky ligj është në fuqi nga viti 2013 dhe është bërë bashkë me FMN në mënyrë që asnjë qeveri të mos fus Kosovën në borxhe të mëdha”.

I pari i deputetëve të PDK-së thotë se pa bërë plotësim ndryshimin e ligjit në Kuvend pagesat nuk mund të bëhen.

“Kjo i bie që Qeveria mund të merr vendime, por paratë nuk mund t’i lëshojë”.

Ai thotë se asnjë nga këto ndihma që po i premtohen sektorit privat nuk janë parashikuar në tabelat buxhetore.

Lexo po ashtu Propozimi i PDK-së për të ndihmuar bizneset: Punëtorët e sektorit privat për tre muaj marrin nga 300 euro

Hamza thotë se pako financiare e propozuar nga PDK përpos që dallon në shumë nga ajo që ka propozuar qeveria, mbështetet edhe në ligj./Telegrafi/