Telegrafi

Hamza: Prioritet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik

Ministri i Financave (MF) Bedri Hamza tha se dokumenti i hartuar është në përputhje me ligjin mbi Menaxhimin e Financave dhe përmban strategjinë fiskale të Qeverisë për periudhën e ardhshme tre vjeçare. “Prioritetet e Qeverisë të cilat janë pjesë e Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2012-2014, janë objektiva të orientuara drejt një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik dhe bazohen në Programin e Qeverisë 2011-2014”, theksoi Hamza.

Kryeministri Thaçi tha se ky vizion dhe prioritetet për zhvillim ekonomik të Kosovës kanë marrë përkrahje të gjerë edhe jashtë qeverisë. “Ne planifikojmë të kemi kontakte me komunitetet e biznesit në mënyrë që ky projekt të jetë i familjarizuar. Ky është vizioni për Kosovën evropiane, është një vizion që i ka munguar Kosovës deri tani”, theksoi Thaçi.

Po ashtu Qeveria, ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Financave për Ratifikimin e Konventës së Këshillit Botëror të Doganave. Përfundimi i procedurave do t’i mundësojë Doganave të Kosovës që kërkesa për anëtarësim në Organizatën Botërore ë Doganave të shqyrtohet në sesionin e radhës të qershorit 2012.

Po sot është miratuar vendimi për aplikimin e normës së Tatimit të Akcizës për Lojëra të Fatit. Sipas këtij vendimi Ministria e Financave pas konsultimit me ekspert vendor dhe të huaj do të propozojë të vilen norma të tatimit të akcizës në Lojëra të Fatit.

Qeveria i ka dhënë dritën e gjelbër projektit për studimin fizibilitetit dhe fillimin e procedurave për analizimin e opsioneve kontraktuese për operim dhe mirëmbajtje të autostradës Vërmicë-Merdarë. “Përgatitja e studimit te arsyeshmërisë për Sistemin e Operimit dhe Mirëmbajtjes në Autostradën R7 Morinë – Merdarë është i një rëndësie të veçantë pasi që siguron ruajtjen e vlerës së investimeve, ruajtjen e kualitetit të autostradës”, ka thënë ministri Fehmi Mujota.

Po ashtu është mbështetur propozimi i Ministrisë së Infrastrukturës për fillimin e procedurave për analizën e opsioneve kontraktuese për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Kryeministri Thaçi i ka dhënë mbështetje të plot trasesë së Autostradës Vërmicë-Merdare dhe fillimit të procedurave për Autostradën Prishtinë – Shkup. /Telegrafi/