Në PDK nuk duan të diskutojnë futjen në qeveri nëse iu shkon ndonjë ofertë për dy ministri.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj kishte deklaruar para dy ditësh se nuk është serioze që me 24 deputetë, PDK-së t’i ofrohen dy ministri.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se nuk e sheh partinë e tij në qeveri e aq pak pozita.
“Për dy ministri, unë nuk e shoh PDK-në në qeveri”, ka deklaruar ai, përcjell Telegrafi.
Hamza thotë se LDK asnjëherë nuk është dashur të vendos vija të kuqe për PDK-në, derisa për Vetëvendosjen thotë se ata i heqin vijat e kuqe kur PDK i duhet.
Ish-ministri i Financave thotë se Kosova ka nevojë për stabilitet politik në mënyrë që të mos zhvillohen zgjedhje çdo vit.
“Zgjedhjet për çdo vit para se gjithash e dëmtojnë ekonominë e vendit”.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit, Hamza ka thënë se ky proces po krijon probleme të mëdha pasi që nevojiten 80 vota.
“Unë do të doja që në të ardhmen të ndahet procesi i zgjedhjes së presidentit nga ai i qeverisë. Duhet një reformë zgjedhore”, deklaroi më tej Hamza./Telegrafi/