Telegrafi

Hamza pas miratimit të Ligjit për Rimëkëmbjen: Qeveria Hoti është e dobët, s’ka numra në Kuvend

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza ka thënë se nuk ka qenë punë e lehtë miratimi i Ligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.

Hamza në një konferencë për media tha se i falënderon të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës që e kanë aprovuar ligjin.

“Ka qenë një punë jo fortë e lehtë, mirëpo dëshiroj të falënderoj deputetët e kuvendit me gjithë vonesat kanë aprovuar këtë ligj”, tha Hamza.

Ai po ashtu theksoi se Qeveria Hoti është e dobët dhe këtë po e tregon edhe në bazë të numrave që i ka në kuvend.

“Po e them se është qeveri e dobët, dhe këtë po e tregon dhe fuqia politike në Kuvend, sepse nuk i kanë as numrat për shumicën e thjeshtë. Kemi qenë konstruktiv nga fillimi, e kemi votuar rishikimin e buxhetit, sot votuam dhe kontribuuam në Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike. Përveç që kemi kritiku, kemi ofruar alternativa dhe i kemi inkorporuar në legjislacion”, ka thënë tutje Hamza.

I pyetur se a do jenë pjesë e Qeverisë Hoti, ai tha: “Asnjë ndërlidhje nuk ka me zhvillimet e ardhshme politike që mund të ndodhin”. /Telegrafi/