Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza, gjatë një aktiviteti në Mitrovicës, i ka porositur bashkëvendësit e tij, se duhet ta fitojnë paranë ndershëm dhe me punë.
Duke folur para nxënësve të shkollave të mesme, në shënimin e Javës Ndërkombëtare të Parasë, Hamza tha se shumë prej tyre, ndoshta do të bëhen ministra, guvernatorë e udhëheqës shteti. “Gjithçka është e mundur, vetëm se kërkohet punë, përkushtim dhe disiplinë”, tha guvernatori.
Në fjalimin tij, Hamza iu tha nxënësve se ka mundësi që paraja të fitohet në mënyrë të ndershme dhe me djersë. “Binduni se ka mundësi me fitua ndershëm dhe prej pune… Por, kur fiton duhet me pas kujdes se qysh e shpenzon”.
Porosia tjetër e Hamzës, i cili është ekonomist me profesion, ishte që “duhet shpenzuar më pak sesa që fitoni”.
“Duhet të kurseni, për arsye se vjen koha kur nevoja për shpenzime rritet, ndërsa mundësitë për fitim kufizohen dhe atëherë duhet me gjet ekuilibrin ndërmjet këtyre dyjave. Nuk është njëjtë sikur një prind që i ka fëmijët në shkollë fillore, sikurse në të mesme dhe në fakultet, sepse shpenzimet rriten. Nuk është njëjtë sikur në moshën kur je mirë me shëndet, sikur në moshën kur ke nevojë me investu në shëndet. Ne shpeshherë nuk kursejmë, ku duhet dhe kush vjen koha më e shtyrë, më në moshë, ankohemi. Ne, sot e dimë se sa janë pensionet dhe duke e ditur që pensionet sot të cilën e jep shteti nuk është e mjaftueshme, atëherë duhet me mendu qysh tash, se si duhet të kursejmë për atë moshë”, tha ai.
Banka Qendrore e Kosovës (BQK) po shënon Javën Ndërkombëtare të Parasë, me aktivitete të ndryshme, përfshirë vizita nëpër shkollat e Kosovës, ku nxënësve po iu shpjegohet në lidhje me financat dhe bankat.
Dita e dytë është mbajtur në Mitrovicë, në shkollën e mesme “Frang Bardhi”.
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka falënderuar Hamzën që ka zgjedhur Mitrovicën për të shënuar Javën Ndërkombëtare të Parasë. Edhe ai i porositi nxënësit se me punë dhe me mund të madh, arrihet gjithçka.
“Po ju them diçka: Kurrë mos e kurseni kohën e juaj, edhe në qoftë se punoni ndokund. Kurrë mos e shikoni orën deri në sa po punoni, sa e keni kufizimin e kohës, por punoni, sepse punoni për vete”, tha ai.
Islam Bahtiri, zyrtar i Lartë për Operacione me Para të Gatshme në BQK, para nxënësve demonstroi se si t’i identifikojnë kartëmonedhat false, nga ato origjinale.
Më pas nxënësit e kësaj shkolle, recituan para të pranishmëve dhe zhvilluan një kuiz me tematikë nga financat.
Aktiviteti i BQK-së, vazhdon nesër në Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë, ku do mbahet një ligjëratë me temën “Qeverisja korporative e institucioneve financiare”. Kurse, të enjten në Fakultetin Ekonomik, Universiteti “Hasan Prishtina” në Prishtinë, do të mbahet një ligjëratë për “Zhvillimin e tregut të letrave me vlerë në Republikën e Kosovës”, si dhe do të improvizohet një ankand i “shitjes së letrave me vlerë”. /EkonomiaOnline/Telegrafi/