Site icon Telegrafi

Hamza: Panairi, pasqyrë e zhvillimit të sistemit financiar

Si çdo vit tjetër, edhe këtë vit u hap Panairi Financiar 2015, i cili po mbahet brenda Pallatit të Rinisë. Ky panair është mundësi e mirë që klientët apo bizneset të njihen me ofertat financiare, të cilat i ofrojnë bankat komerciale që operojnë në Kosovë.
Norma vjetore e kredive aktive të sektorit bankar këtë vit ka shënuar rritje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, e cila ka arritur shifrën prej 2 miliardë eurove, me rritje prej 7.4 për qind.

Risitë e Panairit Financiar të sivjetshëm janë të shumta. Ndër to janë kompanitë e auditimit, kompanitë e edukimit. Ndërsa risia më e mirë është ajo e fondit të garantimit të kredive.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza tha se panairi financiar këtë vit po shërben si pasqyrë e mirë e zhvillimit në sistemimin financiar. Sipas tij, shtimi i numrit të institucioneve financiare, ka bërë që panairi financiar çdo vit të sjellë risi.
“Përveç mundësisë që iu ofron klientëve individualë dhe bizneseve që njihen me ofertën e produkteve financiare në Kosovë, ky panair mund të shërbejë si një mundësi shumë e mirë edhe për nxitjen e një ndërlidhje më të madhe ndërmjet sektorëve të ndryshëm të sistemit financiar të Kosovës, gjë e cila mund t’i jep një shtytje më të madhe zhvillimit të mëtejmë të këtij sistemi”, tha Hamza.

Sipas tij roli i sistemit financiar në mbështetje të zhvillimit ekonomik të vendit, ka shënuar përmirësim të mëtejmë në periudhën e fundit, kryesisht zhvillimit në kuadër të aktivitetit të sektorit bankar.

Hamza më tej tha se në gusht të këtij viti gjithsej kreditë aktive të sektorit bankar arritën vlerën prej rreth 2 miliardë euro, duke shënuar një normë vjetore të rritjes prej 7.4 për qind, krahasuar me rritjen prej 3.2 të regjistruar në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Kurse, kryetari i bordit të Shoqatës së Bankave të Kosovës, Ilir Aliu tha se panairi është mundësi e mirë për dialog mes konsumatorëve dhe sektorit financiar. “Ky panair financiar është një mundësi që konsumatorët dhe sektori financiar të dialogojnë bashkë, t’i shohim inovacionet e zhvillimeve të sektorit bankar dhe të shohim ofertat e tyre, cilat janë në përgjithësi. Panairi është një mundësi që konsumatorët të njihen jo vetëm me sektorin bankar, por edhe me sektorin mikrofinanciar edhe me sektorin e kompanive të sigurimit”, tha Aliu.

Gjatë këtij panairi u tha se Banka Qendrore do vazhdojë ta mbështesë sektorin bankar, i cili luan rol të rëndësishëm në zhvillim të vendit.
Panairi ka filluar sot dhe do të jetë i hapur deri nesër (e mërkurë). /Telegrafi/

Exit mobile version