Site icon Telegrafi

Hamza takon profesionistët shëndetësorë, premton 1.5 miliard euro investime në shëndetësi

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për Kryeministër, Bedri Hamza, këtë të diel ka zhvilluar një tubim të madh me mjekë, infermierë, farmacistë dhe personel shëndetësor.

Gjatë tubimit, Hamza ka theksuar rëndësinë e një sistemi shëndetësor modern dhe të përqendruar te pacienti, duke u zotuar për reforma të thella që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e shërbimeve shëndetësore në Kosovë.

“Jemi bashkë për një shëndetësi moderne me pacientin në qendër. Jemi bashkë për një shoqëri të shëndetshme dhe një Kosovë që mundet ma mirë!” – deklaroi Hamza, duke prezantuar programin e tij për sektorin e shëndetësisë, i cili përfshin:

1.5 miliardë euro investime në shëndetësi për katër vjet;

100% rritje të buxhetit për blerjen e barnave esenciale;

50% rritje të pagave për mjekët, infermierët dhe personelin shëndetësor;

Barna falas për të moshuarit me sëmundje kronike dhe të prekurit me kancer;

Funksionalizim të Sigurimeve Shëndetësore dhe digjitalizim të sistemit shëndetësor;

Riorganizim të specializimeve në shëndetësi dhe Ligj për Specializantët;

Fuqizim të spitaleve rajonale dhe ndërtim të Sistemit Kombëtar të Emergjencave Mjekësore.

Hamza u shpreh i bindur se këto masa do të sjellin një transformim të rëndësishëm në sistemin shëndetësor të Kosovës, duke siguruar një kujdes më të mirë për qytetarët.

“Shëndetësia mundet ma mirë!” – përfundoi ai, duke theksuar se ky është vetëm një nga prioritetet kryesore të qeverisjes së tij të ardhshme.

Exit mobile version