Site icon Telegrafi

Hamza: Hapja e urës mbi lumin Ibër të bashkërendohet me NATO-n dhe aleatët strategjikë

Kryetari i Komunës së Mitrovicës

Kryetari i komunës së Mitrovicës, Bedri Hamza thotë se hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë duhet të kryhet në bashkërendim me NATO-n dhe aleatët strategjikë të Kosovës.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, ai tha se duhen shmangur veprime që mund të çonin në tensionim të situatës. 

“Duhet të ketë bashkëpunim, bashkërendim dhe koordinim me NATO-n , që ka trupat e vet në kuadër të KFOR-it, me ambasadat në Kosovë, me diplomacitë e vendeve mike me qëllim që të mos shkaktohet një situatë që në vend që të ketë progres të lëvizim në regres dhe të përballemi me një situatë e cila më pastaj do ta bllokonte urën për lëvizje për një kohë më të gjatë”, u shpreh ai.

Hamza, tha se çështja e urës ishte temë në takimet që ai ka patur me zyrtarë amerikanë gjatë qëndrimit në Uashington.

Autoritetet në Kosovë mbyllën të hënën zyrat e postës së Serbisë në veri dhe filluan të enjten testimin e qëndrueshmërisë së urës kryesore mbi Ibër që shënon vijën ndarëse të Mitrovicës, si përgatitje për hapjen e saj për lëvizjen e makinave, mes kundërshtimeve të KFOR-it dhe diplomatëve perëndimorë.

Qeveria e Kosovës thotë se hapja e urës do të ishte simbol i normalizimit të marrëdhënieve ndëretnike ndërmjet veriut të banuar me shumicë serbe dhe jugut me shumicë shqiptare.

Exit mobile version