Telegrafi

Hamiti paralajmëron përkrahësit e Tërnavës

Ai në reagimin e tij ka përmendur disa emra të cilët po mundohen të ndikojnë tek anëtarët e Kuvendit të BIK-ut që në mbledhjen e radhës së këtij Kuvendi më të martën (20 gusht) të fusin në agjendë ndryshimin e Kushtetutës së BIK-ut.

Hamiti ka thënë se ndjenë për obligim që si kryetar i Kuvendit të BIK-ut, publikisht të njoftojë për zhvillimet e fundit të cilave sipas tij po ju prinë Basri Zekolli, Fadil Hasani dhe një pjese e Kryesisë së BIK-ut.

“Natën e Bajramit, Basri Zekolli, Kryeimam në Vushtrri, me përgatitje të lartë jo fetare islame-orientalistikë, ndryshe i njohur si hajmaligji me receta, nuk i ka lënë të qetë anëtarët e Kuvendit të BIK-ut në teren, as natën e Bajramit, duke ju kërkuar nënshkrime , për të mbajtur kinse mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit të BIK-ut, sepse sipas tyre kryetari i Kuvendit nuk po donë më mbajt mbledhje të rregullt”, ka thënë Hamiti.

Duke cituat Zekollin dhe Hasanin, Hamiti ka thënë se në formë kërcënimi janë munduar t’i bindin anëtarët e Kuvendit duke iu thënë se “a po doni me hy në listë të nënshkrimeve apo mbeteni jashtë, e pastaj nuk marrim përgjegjësi për pasojat që ju vinë nga lartë-kryesia”.

Hamiti në reagimin e tij ka thënë se disa herë është munduar të vëjë kontakt përmes telefonit me Zekollin dhe Hasanin për të kuptuar se cila është iniciativa e tyre mirëpo sipas tij asnjëri nuk i janë përgjigjur.

“E meqë iniciativa e tyre nuk piu ujë dhe tani mbledhja do të mbahet e rregullt, sipas rendit të ditës të caktuar nga kryesia e Kuvendit dhe rendit të ditës të shpërndarë tashmë tek anëtarët e Kuvendit, Basri Zekolli ka filluar shantazhimin tjetër të anëtarëve duke ju thënë se ka miratimin edhe nga lartë (kryesia) për të ndryshuar kushtetutën e BIK-ut, vetëm dy muaj para zgjedhjeve”, ka thënë Hamiti.

Me iniciativë të Zekollit të premten, sipas Hamitit janë ftuar një pjesë e anëtarëve të Kuvendit të BIK-ut, kinse për “konsultime” para mbledhjes së Kuvendit e cila është paraparë që të mbahet të martën në Kryesinë e BIK-ut.

“Në këtë takim “konsultativ”, sipas informacioneve të sakta, të dala nga ky ambient, fokus kryesor ka qenë bindja e të pranishmëve për të ndryshuar agjendën e Kuvendit, gjegjësisht futjen në rend dite ndryshimin e kushtetutës së BIK-së, për t’i mundësuar kryetarit aktual të BIK-ut edhe njëherë rikandidimin e tij, sepse sipas tyre nuk ka më të mirë, duke lakuar edhe emra krahasues si “as Sabri Bajgora e as Ekrem Siminica“ kinse nuk janë më të mirë se kryetari aktual e të cilët po ashtu po shfaqin ambicie për këtë post”, ka thënë Hamiti në reagimin e tij.

Në fund Hamiti ka thënë se këto iniciativa të tilla tinëzare me motive të ulëta karrieriste, nuk do t’i kontribuojnë rendit, qetësisë, rehatisë dhe rregullit të brendshëm të BIK-ut dhe të opinionit të gjerë.

Ndryshe, deri më tani Hamiti për këtë çështje ka përkrahjen e Sindikatës së BIK-ut. Idriz Bilalli, kryesues i Sindikatës së BIK-ut kishte thënë për “Zëri” se Tërnava ka bërë dy mandate në krye të BIK-ut, e që bëjnë 10 vite, prandaj në bazë të Kushtetutës së BIK-ut, Tërnava nuk ka të drejtë të kandidojë për myfti të Kosovës për mandatin në vijim. /Zëri/