Telegrafi

Hamilton triumfon në Bahrejn falë gabimeve dhe problemeve te Ferrari

Lewis Hamilton, Valtteri Bottas dhe Charles Leclerc (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Lewis Hamilton befason të gjithë, për më tepër tifozët e Ferrarit në garën e tyre të preferuar të Bahrejnit duke triumfuar kështu në Çmimin e Madh të këtij vendi, falë edhe gabimeve dhe fatit të keq të Sebastian Vettel dhe Charles Leclerc.

Dy pilotët e kokëkuqes italiane e nisën garën në dy vendet e para, me Leclerc në krye, i cili u parakalua që në nisje nga gjermani Vettel, por rokada e vendeve nuk do të vononte.

Lewis Hamilton (Foto: Lars Baron/Getty Images/Guliver)

Vettel u ndëshkua nga një gabim i tij, i gjendur nën presionin e Hamiltonit, teksa pasi dëmtoi njëvendëshen e tij u detyrua të bënte ndalesën e tretë në ‘pit stop’. Kjo ndalesë e paparashikuar nuk e lejoi të ngjitej më shumë sesa vendi i pestë në përfundim të garës – transmeton Top Channel.

Hamilton përfitoi gjithashtu nga fati i keq i Leclerc, i cili edhe pse gjendej në kryesim të garës, i pashqetësuar, pësoi një defekt në motor që i ngadalësoi ritmin dhe e detyroi të dorëzonte frerët e garës kur kishin mbetur 12 xhiro nga fundi.

Talenti i ri i Ferrarit e mbylli në vendin e tretë të podiumit, pasi u parakalua edhe nga finlandezi i Mercedesit, Valtteri Bottas, ndërsa i shpëtoi për mrekulli sulmit të Max Verstappenit.