Lewis Hamilton të dielën u nis i pari në pistën e Belgjikës, por u parakalua që në xhiron e parë nga gjermani Sebastian Vettel dhe në fund nuk arriti më shumë se vendin e dytë.
Në përfundim të garës për Çmimin e madh të Belgjikës, britaniku theksoi se e kishte të pamundur të rivalizonte me gjermanin e Ferrarit, veçanërisht në pjesën e drejtë të pistës, ndërsa hodhi edhe hipotezën e ndonjë truku.
“U mundova të bëja më të mirën, por ishte e pamundur, sidomos në pjesën e drejtë, ku edhe Vettel më parakaloi”.
“Mesa duket te Ferrari duhet të kenë gjetur ndonjë truk special”, ka deklaruar Hamilton, transmeton Top Channel.
Piloti i Mercedesit foli edhe për momentin kur kishte mundësi të parakalojë Vettelin, ndërsa theksoi se edhe në Monza, fundjavën e ardhshme, do ta ketë të vështirë t’i bëjë ballë Ferarit.
“Kisha një moment të rikthehesha i pari, pas daljes së makinës së sigurisë, por është e sigurt që Vettel do të më parakalonte sërish”.
“Në pjesën e drejtë vinte aq shpejt, sa nuk arrija ta shihja. Edhe në Monza do të jetë e vështirë ndaj tyre, pasi janë shumë të shpejtë në pjesët e drejta”, ka shtuar britaniku.