Telegrafi

Hamburgu i jep edhe një shans Mavrajt, e rikthen në skuadër

Sezoni që sapo përfundoi ishte më i vështiri në karrierë për Mërgim Mavrajn.

Performancat e mbrojtësit të kombëtares shqiptare me fanellën e Hamburgut nuk ishin në maksimumin e mundshëm, madje situata degradoi kur drejtuesit e klubit vendosën ta dërgonin 31- vjeçarin tek skuadra e dytë e Hamburgut, si të mos mjaftonte edhe aty hapësirat për Mavrajn ishin të reduktuara.

Në fund të edicionit, Hamburgu për herë të parë në histori ra nga Bundesliga, një ditë e errët për të gjithë tifozët, por që për Mavrajn mund të ketë qenë një ditë që ka ndezur shpresat në aspektin personal.

Lexo po ashtu Hamburgu e dërgon Mavrajn në ekipin e dytë

Djaloshi nga Istogu është nën kontratë me klubin nga veriu i Gjermanisë deri në qershor të vitit 2019 dhe megjithëse divorci dukej i pashmangshëm ka gjasa që mbrojtësi të vijojë të jetë pjesë e Hambugut në Bundesligën e dytë.

Këtë e ka konfirmuar drejtori sportiv i klubit Ralf Beker, përcjell Supersport.

“Po punojmë për të ndërtuar një skuadër të fortë. Mund t’iu them se kemi nën kontratë  lojtarë me cilësi”.

Lexo po ashtu Trajneri i Hamburgut sqaron situatën e Mavrajt: U largua për arsyeje sportive

“Mavraj dhe Uollas u dërguan në skuadrën e dytë por kemi menduar ti japim edhe një shans dhe do të jenë sërish me ekipin kryesor”.

Në këtë mënyrë drejtuesit e Hamburgut kanë vendosur t’i besojnë sërish mbrojtësit kuqezi, mbetet për tu parë nëse Mavraj do ta pranojë “armëpushimin” apo do të kërkojë të transferohet diku tjetër.