Mërgim Mavraj nuk po kalon aspak periudhë të mirë te radhët e Hamburgut në Bundesligë.
Ai ishte i grumbulluar me Shqipërinë për miqësoren me Norvegjinë të zhvilluar në ‘Elbasan Arena’, ku kuqezinjtë humbën 1-0.
Mavraj luajti për 90 minuta, por kur u kthye mori një lajm të hidhur nga klubi.
Trajneri Christian Titz, që po vepron më dorë të hekurt për shkak të gjendjen kritike ku ndodhet skuadra, ka urdhëruar që shqiptari të stërvitet me ekipin e dytë për një periudhë të pacaktuar.
Në të njëjtën mënyrë Titz kishte vepruar edhe me mesfushorin Walace. Vendimin e marrë nga trajneri, e sqaroi drejtori sportiv, Bernhard Peters.
“Stafi teknik ka vendosur ta largojë Mërgim Mavrajn nga ekipi i parë për motive sportive. Është kërkuar që të stërvitet me U-21 deri në një vendim të dytë”, thuhet në njoftim.
Mavraj është aktivizuar në 17 ndeshje të Bundesligës në këtë sezon.
Hamburgu renditet i fundit me 18 pikë, 7 më pak se vendi i 15-të që i shpëton rënies.
Në Budesligë kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fund të sezonit./Super Sport/