Site icon Telegrafi

Hamasi refuzon kërkesën e Izraelit për të zgjatur fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës

Hamasi ka refuzuar një kërkesë izraelite për të zgjatur fazën e parë të armëpushimit të Gazës, ka thënë një zyrtar i lartë.

Grupi militant do të lirojë vetëm pengjet e mbetura izraelite sipas kushteve të marrëveshjes së rënë dakord tashmë me faza, tha Mahmoud Mardawi për Al Jazeera të dielën, përcjell Telegrafi.

Sipas një plani të paraqitur nga i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, të cilin Izraeli e ka pranuar, faza e parë e marrëveshjes së armëpushimit do të vazhdojë deri në Ramazan dhe Pashkë, ose deri më 20 prill.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha më herët se Izraeli do të ndalonte të gjitha mallrat dhe furnizimet në Gaza pasi pretendoi se Hamasi po refuzonte të “pranonte skicën e Witkoff për vazhdimin e bisedimeve, për të cilën ra dakord Izraeli”.

Hamasi dënoi vendimin për të bllokuar ndihmën për enklavën, duke e quajtur atë “një krim lufte dhe një sulm flagrant” ndaj një armëpushimi që mori një vit negociata përpara se të zbatohej në janar, shkruan Sky News.

Ministri i Jashtëm i Egjiptit, një ndërmjetës kyç në konflikt, tha se plani ishte një përpjekje për të përdorur “vdekjen nga uria si armë” dhe “një shkelje flagrante dhe e qartë e ligjit humanitar”.

Ndërsa Arabia Saudite e quajti vendimin e Izraelit “një mjet zhvatjeje”.

Faza e parë e armëpushimit, e cila skadoi të shtunën, pa një rritje të ndihmave humanitare pas muajsh uria në rritje.

Negociatat për fazën e dytë ishin menduar të fillonin një muaj më parë, por nuk kanë filluar ende.

Izraeli paralajmëroi për “pasoja shtesë” nëse Hamasi refuzon të pajtohet me propozimin e tij. /Telegrafi/

Exit mobile version