Nata e Shtrigave, apo siç njihet ndryshe “Halloween” festohet në shumicën e vendeve të botës. Ata që duan të jenë pjesë e kësaj feste, tanimë kanë zgjedhur veshjet e tyre.
Fëmijë të maskuar me personazhe të ndryshme nga më të frikshmet e deri tek ato që paraqesin bukuri dhe dashuri, mund të hasësh sonte në çdo cep të shesheve të Prishtinës.
“Spiderman”, “Shtriga”, “Hakera”, “Mace”, “Princesha” e shumë personazhe tjera sonte kishin vendosur t’i vishnin më të vegjlit, ani pse kjo festë nuk u kushtohet vetëm atyre.
E, përveç kostumeve të ndryshme, që kishin veshur kryesisht fëmijët, mund të hasje edhe në ndonjë vezë të thyer aty këtu, të cilën fëmijët kryesisht e përdorin si “armë” për t’u argëtuar mes vete, gjatë kësaj nate.
Erina është vetëm njëra nga vajzat e shumta, e cila kishte dalë sonte për të festuar ‘Halloween’-in.
E ngjyrosur si një mace, Erina tregoi se po kënaqej me këtë festë, transmeton Telegrafi.
Për dallim nga Erina, një grup shokësh kishin vendosur të vendosnin maskën e hakerave në fytyrë.
Njëri nga ta tregoi se kjo është hera e parë për të që po festonte këtë festë.
“Kom dalë me festu Halloween-in, jam masku si haker. Kjo është hera e parë që po dalë me festu dhe po më duket shumë mirë”, tha ai duke mos e treguar emrin.
E kërkesave të fëmijëve, por edhe të të rriturve që në këtë natë të duken sa më të frikshëm, ua mundësonin edhe shitësit ambulantë, të cilët u ofron zgjidhje të shumta rreth maskave të ndryshme.
Njëri prej shitësve tha për Telegrafin se kërkesat e fëmijëve janë më shumë për maska të personazheve të filmave vizatimor, ndërkaq të rriturit preferojnë më shumë maska më klasike.
Ai tregoi se zgjidhje ka dhe se çmimet e tyre varirojnë nga një deri në pesë euro.
Simbolikë kryesore e ‘Halloween’ është lëvozhga e kungullit, nga e cila krijohen fizionomi fytyrash të frikshme, e brenda tij ndizen llamba ndriçuese, të cilat në errësirë lënë një përshtypje interesante dhe të frikshme. /Telegrafi/