Haliti: Serbia mund ta padis Kosovën në Arbitrazh Taksa mbrojtëse 100% për Serbinë dhe BH është vendim irracional dhe duhet korrigjuar.
Kështu u shpreh nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Hailti në emisionin Argument Plus.
Ai konsideron se Qeveria duhet të gjejë një rrugë të mesme për të mos u futë në konflikt me BE-në si pasojë e kësaj takes, ndërsa thekson se Serbia në bazë të marrëveshjes CEFTA ka të drejtë të padisë Kosovës në Gjykatën e Arbitrazhit.
Qeveria e Kosovës mori vendim që ta rris taksën produkteve të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nga 10 për qind sa ishte me vendimin e kaluar në 100 për qind, për produktet që hyjnë në Kosovë nga këto dy shtete.
Kryeministri Ramush Haradinaj, kishte thënë se një vendim i tillë ka qenë i domosdoshëm dhe ka vlerësuar se shteti serb në vazhdimësi nuk e ka zbatuar Marrëveshjen për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA) në raport me Kosovën.
Lidhur me taksën, pati reagime të ndryshe, nga Bashkimi Evropian, të cilët kërkuan largimin e taksës.
Por për kundër reagimeve, Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrimin.
“Për një kohë të gjatë, Serbia ka abuzuar me tregun e Kosovës dhe ka shkelur kushtet e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA). Këto masa do të mbeten në vend derisa Serbia të ndalë përpjekjet e saj për të minuar sovranitetin tonë dhe fillon të nderojë angazhimet e saj”, ka theksuar Haradinaj./Telegrafi