Site icon Telegrafi

Haliti: U zumë në befasi nga Dick Marty, s’pati kurrë trafikim organesh

Duke folur për akuzat nga Gjykata Speciale, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se që nga fillimi është ditur se nuk ka bazë marrëveshja e krimit të supozuar për trafikim organesh.

“Në shtalla të lopëve nuk do të mund të kryheshin aso transplante organesh që pretendojnë ata. Këtë e kanë pranuar dhe e kanë thënë edhe ekspertët serbë”, ka thënë Haliti.

Duke folur për raportin e ish senatorit zviceran Dick Marty në bazë të të cilit edhe u krijua Gjykata Speciale, Haliti ka thënë se Kosova ishte zënë në befasi nga ky raport.

“Neve jemi zënë pak në befasi me Dick Martyn, pasi që ai asnjëherë nuk ka ardhur këtu për të hetuar”, ka thënë ai.

Tutje Haliti tha se ka qenë pikërisht ai që e ka nxjerr në publik bashkëpunimin e Martyt me ambasadorin serb në Zvicër.

“E kam ditur që serbët nuk do të ndalen, pasi që ka edhe interesa tjerë”.

Haliti ka folur edhe për shkuarjen e tij në Paris ku ka marrë pjesë në cilësinë e deputetit të Kosovës në komisionin e Parlamentit Evropian ku diskutohej për raportin e Dick Martyt.

“Kemi shkuar unë dhe Ibrahim Gashi në Parlamentin Evropian, por nuk e kemi ditur as si funksionon ai komision e as akuzat që janë bërë. Por unë kam komunikuar me një mik timin në Amerikë dhe me ka treguar se çfarë po zihet aty. Më pas kam komunikuar me ambasadën e Shqipërisë dhe na kanë dërguar një përkthyes. Komisioni ka qenë i mbushur me rusë dhe të tjerët si ata. Unë kam folur edhe Ibrahimi dhe i kemi refuzuar kategorisht ato që janë thënë aty. I thash Martyt se këto janë akuza që janë marrë nga gazetat e Serbisë. Ai e mbrojti tezën e tij, derisa delegacioni rus filloi të bërtas se pse e keni futur këtë këtu, pra pse duhet të flas unë aty”, ka thënë Haliti për televizionin publik.

Exit mobile version