Site icon Telegrafi

Haliti tregon pse nuk u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti tregon se pse sot nuk u mbajt mbledhja e Kryesisë së Kuvendit.

Haliti në një prononcim për lajmi.net, tha se kjo mbledhje nuk u mbajt pasi nuk është kompletuar dokumentacioni për vazhdimin e mandatit të EULEX-it, projektligj i cili u miratua të hënën në Qeveri, e që pritet t’i dërgohet Kuvendit për votim.

“S’ka qenë akoma e përgatitur. Edhe dje (e hënë) kemi mbajtur mbledhje por sot ishte e caktuar për të shqyrtuar çështjen e zgjatjes së EULEX-it. Akoma nuk janë përgatitur dokumentet dhe nuk proceduam. Besoj që nesër do të mbajmë mbledhje, ndonëse nuk kemi diçka të sigurt por nëse përgatiten dokumentet do të mbahet mbledhja”, tha Haliti.

Haliti thotë se posa të kompletohet dokumentacioni për projektligj, ai do të dërgohet në Kuvendi. Ai beson se koalicioni qeverisës PDK-LDK ka votat e nevojshme që ky projektligj të miratohet.

“Nuk ka asnjë arsye që të mos e procedojmë në Kuvend, pasi të kompletohet dokumentacioni. Ne jemi koalicion që i kemi dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve”, tha Haliti për lajmi.net.

Të hënën, Qeveria e Kosovës miratoi projektligjin për zgjatjen e mandatit të misionit të sundimit të ligjit të Bashkimit Evropian, EULEX, edhe për dy vjet.

Për të kaluar në Kuvend, për këtë projektligj duhen 2/3 e votave të gjithë deputetëve.

Partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se do ta votojë kundër, ndërkaq AAK dhe Nisma, kanë deklaruar se do të vazhdojnë bojkotin e punimeve të Kuvendit dhe kur ky projektligj të jetë në rend dite, deputetët e këtyre partive nuk do të jenë të pranishëm fare në Kuvend.

Exit mobile version