Të enjten pritet të mbahet seanca konstituive, në të cilën në rend të ditës është zgjedhja e kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve.
Zyrtarë nga koalicioni PAN po shprehen të bindur se votat për formimin e qeverisë dhe votimin e Kadri Veselit për kryeparlamentar tashmë i kanë siguruar, shkruan Indeksonline.
Ndonëse ka zëra për një marrëveshje mes PAN dhe AKR-së, gjithçka mbetet në nivel të spekulimeve.
Indeksonline ka kontaktuar Xhavit Halitin nga PDK-ja, që të mësojë më shumë për zhvillimet e seancës së ardhshme.
I pyetur se a presin që të enjten të votohet Veseli për kryeparlamentar, Haliti tha se gjithçka varet nga përgatitja e koalicionit PAN, për të zgjedhur organet e shtetit.
“Së pari të mbahet seanca, pastaj varet sa jemi të përgatitur si koalicion për të zgjedhur organet e shtetit, organin legjislativ, për t’u sistemuar. Kjo është me rëndësi”, tha Haliti.
Haliti nuk ka folur rreth deklaratave për një marrëveshje të mundshme mes PAN dhe AKR-së me pretekstin se nuk ka informacione për këtë çështje.