Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti, ka reaguar pas deklaratës së Shkëlzen Gashit, këshilltarit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haliti ka thënë se prokuroria e Kosovës dhe duhet të ndërmerr veprime hetimore pas deklaratës së Gashit, transmeton Telegrafi.
“Asnjë raport kredibil ndërkombëtar nuk ka nxjerrë përfundime se UÇK ka kryer krime të luftës. Mbi bazën e dyshimeve, është ngritur Gjykata Speciale. Ajo është institucioni i vetëm kredibil i drejtësisë, që mund të ngritë akuza, duke i mbështetur ato në fakte, larg çdo anshmërie. Në këtë drejtim, pas akuzave publike të Shkelzen Gashit, prokuroria e Kosovës si dhe ajo e Gjykatës Speciale duhet të ndërmarrin veprime të shpejta hetimore. Deri në shpallje gjykimesh të plotfuqishme nga Specialja, akuzat e Gashit mbeten vetëm shpifje”, ka shkruar ai.
Haliti ka pohuar se po tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së.
“Përmes tyre tentohet të njolloset pastërtia e luftës çlirimtare të UÇK-së. Ato i provokojnë në mënyrë flagrante dhe i lëndojnë ndjenjat e themeluesve, drejtuesve, pjesëtarëve dhe mbështetësve të saj, çlirimit dhe pavarësisë së Kosovës.
Në institucionet e shtetit të Kosovës, i cili qëndron mbi sakrificat sublime dhe luftën e UÇK-së, individët e tillë janë tërësisht në vendin e gabuar”.
Ndryshe, deklarata e Gashit se duhet dënuar të gjithë ata që kanë bërë krime gjatës luftës përfshirë edhe pjestarët e UÇK-së, ka nxitur reagime të shumta./Telegrafi/