Deputeti i zgjedhur i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, bëri të ditur se kandidati i vetëm për Kryetar Parlmenti i PDK-së, është Kadri Veseli, madje quajti deklarimet në lidhje me këtë çështje, të bashkëpartiakut të tij Memli Krasniqit, keqkuptime.
Haliti ka thënë se zgjedhja e Kadri Veselit kryeparlametar është e pashteg dhe se procesi do të bllokohet në atë pikë, për aq kohë sa është e nevojshme, në mënyrë që ai proces të kryhet.
Ai ka deklaruar se nuk ka dyshim që Veseli i ka votat për t’u emëruar në atë post, si edhe Ramush Haradinaj për postin e kryeministrit, ndërsa ka ftuar deputetët e koalicionit LAA që të mos jenë bllokues, por të mendojnë për vendin.
“Ne kemi atë fuqi politike që kemi dhe të drejtën për të zgjedhur kryetarin e parlamentit. Mendoj që kandidatura është e mirë dhe e qëlluar. Nuk do të duhej ta pengonte askënd. Nëse dikujt i konvenon që të mos shkojmë më tutje por ta shtyjmë këtë proces për muaj, pas konstituimit të kuvendit, kushtetuta nuk parasheh dicka tjetër, pos zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë”, tha Haliti në Info Magazine të Klan Kosova.
“Mendoj që deputeti nuk duhet të kushtëzohet që të votojë sipas dëshirës së kryetarit të partisë. E drejta e deputetit për të votuar në mënyrë të caktuar është e drejtë ekskluzive. Po ashtu, koalicionit LAA do t’i levërdiste që për të mirën e vendit ta votojë edhe kryeparlamentarin e kryeministrin”, tha ai. /Klan Kosova/